Gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nuk mund të ndryshojnë përmasat e tyre, por mund të ndryshojnë përmasat e tregut ku operojnë. Për këtë duhet të kapërcejnë mosmarrëveshjet politike dhe të përshpejtojnë integrimin ekonomik.
Ky ishte mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, në Samitin e Liderëve për Planin e Rritjes të BE-së, që u zhvillua sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.
“Në një botë që është bërë më e vështirë për ekonomitë e vogla, ne të gjashtë ende mund të zgjedhim të mos mbetemi të vegjël. Pikërisht për këtë shërben ky treg dhe RCC-ja do ta çojë këtë punë deri në fund së bashku me ju”, deklaroi Kapetanović.
Kur ekonomia ecën dhe politika e frenon
Përfitimet e bashkëpunimit rajonal tashmë janë të prekshme. Që prej vitit 2021, qytetarët e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor komunikojnë me tarifa vendore telefonike në të gjithë rajonin. Katër ekonomi janë bërë pjesë e Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke ulur ndjeshëm kostot e transfertave ndërkombëtare.
Megjithatë, barrierat administrative, kufizimet në ofrimin e shërbimeve dhe dallimet rregullatore vazhdojnë të pengojnë bizneset.
“Kemi përparuar më shpejt atje ku përfitimet ishin të dukshme, puna mbeti në nivel teknik dhe rezultati i pritshëm ishte i qartë. Kemi ngecur atje ku çështjet teknike u përfshinë në mosmarrëveshje më të gjera”, tha Kapetanović.
Sipas gjetjeve të Barometrit të Ballkanit, qytetarët e vlerësojnë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin rajonal, por presin rezultate konkrete, veçanërisht përballë kostos së lartë të jetesës dhe pasigurisë ekonomike.
Koha për zbatim
Me afrimin e vitit të fundit të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje dhe me Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025-2028 që po i afrohet gjysmës së periudhës së zbatimit, Kapetanović kërkoi afate konkrete, vullnet politik dhe gatishmëri për kompromis.
Tregu i Përbashkët Rajonal, i koordinuar nga RCC-ja, përbën një nga shtyllat e Planit të Rritjes të BE-së. Ndërsa reformat e brendshme përgatisin ekonomitë e rajonit për hyrjen në Tregun Unik Evropian, integrimi rajonal u jep bizneseve mundësinë të rriten dhe të bëhen më konkurruese.
32 mundësi investimi në rajon
Samitit të Tiranës i paraprinë disa takime të nivelit të lartë. RCC-ja prezantoi një instrument të ri rajonal për zhvillimin e turizmit, ndërsa në konferencën e investimeve BE-Ballkani Perëndimor “New Frontier”, Kapetanović paraqiti një portofol me 32 mundësi investimi në rajon.
Liderët e Ballkanit Perëndimor vlerësuan progresin e arritur dhe rolin koordinues të RCC-së, duke nënvizuar nevojën për kapërcimin e pengesave të mbetura.
Sfida tani është që angazhimet e marra në tryezat e samiteve të përkthehen në më pak pengesa për bizneset, më pak kosto për qytetarët dhe më shumë mundësi ekonomike për të gjithë rajonin.
