Kazerma “Adem Jashari” hapi dyert për qytetarët e Kosovës, duke ekspozuar armatimin dhe pajisjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ditën e Forcës, ngjarje e organizuar për t’i afruar institucionet ushtarake me qytetarin. Në hapësira të kazermës u shfaqën mjetet dhe pajisjet operative, ndërsa qytetarë të shumtë patën mundësinë, si përvit, të informoheshin mbi punën e divizioneve dhe njësive të Forcës së Sigurisë.
Në aktivitet ishin prezent edhe krerët shtetëror. Nga aty u theksua se qëllimi kryesor i përpjekjeve është që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s. U ritheksua domosdoshmëria e forcimit të ushtrisë për sigurinë e fëmijëve, qytetarëve dhe brezave që vijnë, si dhe nevoja që me rritjen e kapaciteteve të Forcës të largohen kërcënimet për luftë dhe konflikt.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në fjalën e tij falënderoi të gjithë ata që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në Forcën e Sigurisë, duke përfshirë edhe komandantin Bashkim Jasharin, mandati i të cilit po përfundon. Maqedonci përmendi investimet që janë bërë për përforcimin e kapaciteteve të forcave të armatosura.
Sipas tij, investimet gjatë kësaj qeverisjeje janë orientuar në tri drejtime: blerjen e sistemeve të armatimit, blerjen e mjeteve transportuese dhe pajisjeve për ta operacionalizuar ushtrinë. Deri më tani, u tha se janë realizuar rreth 500 milionë euro investime për këto qëllime.
Çdo 27 nëntor, Kosova shënon Ditën e Forcës si shenjë vlerësimi për punën e ushtarëve dhe si nderim për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët konsiderohen paraardhës të Forcës së Sigurisë. Evenimenti i këtij viti në kazermën emëruar sipas komandantit legjendar Adem Jashari shërbeu si forum informues për qytetarët dhe si rast për të theksuar synimet strategjike të shtetit në fushën e sigurisë dhe integrimit ndërkombëtar.
