Hakerët kanë depërtuar në platformën kryesore të kompjuterizimit cloud të Forcave Ajrore të SHBA-së, Cloud One, në një incident që mund të vërë në rrezik një sasi të madhe të dhënash sensitive, përfshirë informacione taktike, personeli dhe logjistike, raportojnë Reuters.
Ndërhyrja u zbulua gjatë muajit të fundit, në kuadër të punimeve për përmirësimin e sistemit. Sipas tre personave të njohur me çështjen, zbulimi ka shkaktuar ndërprerje në funksionimin e platformës.
Reuters nuk ka arritur të identifikojë autorët e sulmit, të përcaktojë përmasat e plota të ndërhyrjes apo nëse janë vjedhur të dhëna.
Në një përgjigje për Reuters, Forcat Ajrore deklaruan se nuk komentojnë mbi gjendjen e sigurisë, dobësitë apo statusin operacional të rrjeteve dhe sistemeve specifike, por theksuan se marrin vazhdimisht masa për mbrojtjen e informacionit, sistemeve dhe kapaciteteve operacionale të Departamentit të Forcave Ajrore.
Platformë e rëndësishme për sistemet ushtarake
Cloud One, e krijuar në vitin 2017, synonte të shërbente si një platformë e centralizuar për nevojat teknologjike të Forcave Ajrore, duke bashkuar shërbimet e katër operatorëve: Microsoft, Amazon, Oracle dhe Alphabet. Platforma mbështet dhjetëra aplikacione, përfshirë ato që menaxhojnë të dhënat e personelit, pagat, logjistikën dhe mirëmbajtjen.
Ndër sistemet që funksionojnë në të janë Cloud-Based Command and Control, i cili përmbledh të dhëna nga radarët e mbrojtjes ajrore dhe burime të tjera në të gjithë Amerikën e Veriut, si dhe Theater Integrated Combat Munitions System, që gjurmon bombat dhe raketat në më shumë se 200 lokacione të Forcave Ajrore amerikane në mbarë botën.
SAIC ishte kontraktori kryesor i Cloud One deri në vitin 2025, kur këtë rol e mori Leidos. SAIC nuk iu përgjigj kërkesës për koment, ndërsa Leidos i referoi pyetjet te Forcat Ajrore.
Sipas dy burimeve, Cloud One është ndër platformat më të mëdha cloud të ushtrisë amerikane. Një prej tyre e cilësoi ndërhyrjen si një incident shumë serioz.
Hetuesit kanë përfshirë edhe Cyber Command, strukturën kibernetike të ushtrisë amerikane, për të vlerësuar dëmet.
Ndërprerje në funksionimin e sistemit
Zbulimi i sulmit ka sjellë një sërë ndërprerjesh. Sipas burimeve, është pezulluar migrimi i aplikacioneve administrative drejt Cloud One, një proces që prej kohësh konsiderohet prioritet për ushtrinë.
Gjithashtu, janë bllokuar përditësimet e aplikacioneve që funksionojnë tashmë në platformë, duke lënë personelin e Forcave Ajrore pa mundësinë për të aplikuar rregullimet e nevojshme, në një kohë kur në sektorin teknologjik janë zbuluar një sërë dobësish të reja serioze të softuerëve. Një tjetër burim tha se disa përdoruesve u janë hequr të drejtat e administratorit.
Një prej burimeve bëri të ditur se hakerët shfrytëzuan një dobësi në softuer për të hyrë në “control plane”, pjesën që menaxhon dhe kontrollon funksionimin e platformës. Kjo pjesë u krahasua me një telekomandë universale, pasi në teori, përmes aksesit të saj, ndërhyrësit mund të kontrollonin statusin operacional të avionëve ushtarakë apo lëvizjen e pjesëve rezervë.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse hakerët kanë përdorur aksesin e tyre për të kryer veprime të tilla. Reuters nuk arriti të identifikojë dobësinë specifike të shfrytëzuar gjatë sulmit.
Një seri sulmesh kibernetike ndaj institucioneve amerikane
Zbulimi i incidentit vjen në një kohë shqetësimi të shtuar për sulmet kibernetike të fuqizuara nga inteligjenca artificiale, të cilat paraqesin një rrezik të veçantë për rrjetet cloud, për shkak të aftësisë së modeleve të AI-së për të identifikuar me shpejtësi dobësitë në sisteme të mëdha.
Qeveria amerikane po përballet gjithashtu me pasojat e të paktën gjashtë incidenteve të tjera kibernetike të bëra publike së fundmi, përfshirë dy sulme ndaj FBI-së, një ndërhyrje të mëparshme në të dhënat e Pentagonit, rrjedhjen e fundit të të dhënave të personelit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, një incident që preku të paktën dy agjenci të inteligjencës dhe një sulm ndaj Departamentit të Thesarit.
Cloud One ka qenë prej kohësh në shënjestër të hakerëve. Në një koment të publikuar në vitin 2023 në FedScoop, drejtuesit e platformës pretenduan se kishin një “100% sukses” në zmbrapsjen e përpjekjeve për depërtim, të cilat i përshkruan si të jashtëzakonshme në numër.
“Nuk ka vend për gabime kur bëhet fjalë për sigurinë”, shkruan drejtuesit e Cloud One në atë kohë.
