Kancelari gjerman Friedrich Merz kërkoi shkurtime të mëtejshme në buxhetin e përbashkët të Bashkimit Europian, duke kundërshtuar propozimin e fundit për financimin e periudhës 2028–2034. Mosmarrëveshjet mbi nivelin e shpenzimeve bënë që samiti në Bruksel të përfundojë më herët se ishte planifikuar. Merz vlerësoi se, megjithëse propozimi ishte shkurtuar tashmë me rreth 204 miliardë euro, “vëllimi ende mbetet shumë i lartë. Ai duhet të jetë i përballueshëm edhe për shtetet anëtare që do ta financojnë”.
Udhëheqësit e BE-së synojnë të arrijnë një marrëveshje për buxhetin në takimin e ardhshëm, që pritet të mbahet në dhjetor, para festave të Krishtlindjes. Sipas propozimit të presidentit të Këshillit Europian, António Costa, buxheti i BE-së për shtatë vitet e ardhshme do të arrinte në rreth 1,78 trilion euro.
Një çështje tjetër kyçe në samit ishte mbështetja financiare për Ukrainën. Merz kërkoi angazhim nga të gjitha vendet anëtare dhe kundërshtoi përjashtimin e Sllovakisë, Çekisë dhe Hungarisë nga pjesëmarrja në garantimin e kredisë prej 90 miliardë eurosh për Kievin. Ai theksoi se ndihma për Ukrainën nuk synon zgjatjen e luftës, por krijimin e kushteve për mbylljen e saj, dhe paralajmëroi se vazhdimi i konfliktit mund të shkaktojë valë të reja refugjatësh ukrainas drejt vendeve europiane.
Qëndrimin e Merz e mbështeti kancelari austriak Christian Stocker, i cili kërkoi një zgjidhje të përbashkët evropiane për financimin e Ukrainës. Në të kundërt, kryeministri çek Andrej Babiš kundërshtoi lidhjen e kësaj çështjeje me negociatat për buxhetin e përgjithshëm të BE-së, duke thënë se ndihma për Ukrainën duhet të negociohet veçmas, pasi Çekisë i nevojiten fondet për shpenzime të tjera.
Negociatat rreth buxhetit shumëvjeçar dhe paketave të mbështetjes për Ukrainën mbeten në faza të hershme. Një marrëveshje e synuar pritet të kërkohet në samitin e ardhshëm para Krishtlindjes.
