78 vite e 4 muaj burg për 12 të pandehur të dosjes “Revanshi”, ja sa u dënuan Shullazi dhe Avdyli

27 Nëntor 2026 | 15:44

Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për dosjen e bujshme të krimit të organizuar, të njohur si “Revanshi”, ku në bankën e të akuzuarve ishin 12 persona, mes tyre emra të njohur të botës së krimit, si Astrit Avdyli dhe Emiljano Shullazi.

Me vendimin e datës 27 nëntor 2026, GJKKO ka dënuar në total me 78 vite e 4 muaj burg 12 të pandehurit. Në përllogaritjen e dënimeve është përfshirë edhe zbritja me 1/3, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ndërkohë, SPAK kishte kërkuar një total prej 93 vitesh burg për të pandehurit.

Astrit Avdyli dhe Emiljano Shullazi janë dënuar me nga 10 vite burg. Të dy janë shpallur fajtorë për veprën penale të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Për këtë vepër penale, gjykata i dënoi fillimisht me nga 8 vite burgim, ndërsa në bashkim të dënimeve për veprat e tjera penale caktoi nga 15 vite burg për secilin. Pas zbritjes së një të tretës së dënimit, masa përfundimtare u përcaktua në 10 vite burg.

Avdyli u shpall gjithashtu fajtor për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, largim të të burgosurit nga vendi i qëndrimit dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Ndërsa Shullazi u shpall fajtor edhe për organizimin e një grupi të strukturuar kriminal, goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore, si dhe futjen e sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Në të njëjtën dosje, Naim Stafuka u dënua me 5 vite burg, Xhelal Rraja me 4 vite, ndërsa Blerim Abazi me 6 vite. Besian Xhixha, Enver Diva dhe Viktor Imeraj u dënuan me nga 6 vite e 8 muaj burg. Për Robert Laçin u caktuan 6 vite burg, për Gjergji Cukalin 8 vite, për Satilno Bashon 6 vite, ndërsa Miri Bruli u dënua me 3 vite e 4 muaj burgim.

Dosja “Revanshi” përfshin disa episode të dyshuara të planifikimit të vrasjeve, ku objektiva ishin emra të njohur të botës së krimit në Shqipëri. Mes episodeve të hetuara përmenden planet për vrasjen e Durim dhe Valter Bamit, Preng Gjinit, Ervis Martinajt, Erigers Mihasit, Elvis Gacajt, Altin Gegës, Fatmir dhe Armando Hysenit, si dhe Arben Ndokës.

Krahas akuzave për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, ndaj anëtarëve të grupit janë ngritur edhe akuza për pjesëmarrje apo organizim të grupit të strukturuar kriminal, armëmbajtje pa leje, komunikime për organizimin e veprimtarive kriminale nga burgu, futjen e sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe ndihmën për kalimin e paligjshëm të kufirit.

Dënimet e dhëna nga GJKKO:

Astrit Avdyli – 10 vite burg

Emiljano Shullazi – 10 vite burg

Naim Stafuka – 5 vite burg

Blerim Abazi – 6 vite burg

Besian Xhixha – 6 vite e 8 muaj burg

Enver Diva – 6 vite e 8 muaj burg

Robert Laçi – 6 vite burg

Gjergji Cukali – 8 vite burg

Viktor Imeraj – 6 vite e 8 muaj burg

Satilno Basho – 6 vite burg

Xhelal Rraja – 4 vite burg

Miri Bruli – 3 vite e 4 muaj burg

Gjykata vendosi që Avdyli dhe Shullazi ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë. Për të dy u caktua gjithashtu një periudhë sigurie sa kohëzgjatja e plotë e dënimit, gjatë së cilës nuk lejohet përfitimi i lirimit me kusht.

Vendimi i GJKKO-së mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Grupimi “Studentët n’Protestë”: Mbështesim protestën, nuk jemi pjesë e asnjë partie politike!

Grupimi “Studentët n’Protestë” ka reaguar përmes një komunikate publike, duke sqaruar se nuk janë pjesë e asnjë partie politike dhe nuk mbështet asnjë forcë politike....
16:06 | 27/11/2026

Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë përmbytje në Librazhd, probleme me energjinë elektrike në disa fshatra

Reshjet e shiut gjatë natës dhe paradites së të premtes kanë shkaktuar problematika në disa zona të Qarkut të Elbasanit, kryesisht në territorin e Librazhdit....
15:43 | 27/11/2026

Ushtarë nga SHBA në Tiranë, stërvitje me forcat shqiptare për reagimin ndaj kërcënimeve kimike

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar zhvillimin e një stërvitjeje të përbashkët mes ushtarëve dhe pjesëtarëve të forcave ajrore të Gardës Kombëtare...
15:30 | 27/11/2026