Kryesore

Gazetari: Protesta pa lidership bëri që të largoheshin njerëzit! Duhet një formacion politik

15:39 - 27.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka komentuar ecurinë e protestës dhe mundësinë që grupimet e krijuara nga studentët dhe qytetarët të bashkohen në një formacion të vetëm politik. Sipas tij, shoqëria shqiptare është e etur për ndryshim, por deri më tani protesta nuk ka arritur të prodhojë një strukturë përfaqësuese që të bashkojë qytetarët dhe t’u japë zë kërkesave të tyre.

Toska tha se protesta e nisur në maj tregoi se shqiptarët janë të gatshëm t’i besojnë kujtdo që shfaq sinqeritet në qëllimet e tij. Ai vlerësoi se qytetarët kapërcyen frikën dhe dolën në shesh, duke dhënë sinjalin se ishin gati për ndryshim. Megjithatë, sipas tij, gjatë rrugës në protestë u përfshinë edhe grupime me interesa të ndryshme, përfshirë interesa personale, ndërsa nuk u arrit krijimi i një përfaqësimi të përbashkët.

Gazetari theksoi se mungesa e besimit te politika tradicionale dhe dëshira për ndryshim janë dy elemente që shoqërojnë këtë lëvizje. Por, sipas tij, fakti që qeveria nuk është larguar nga pushteti e bën të domosdoshëm përcaktimin e një rruge konkrete politike për të realizuar ndryshimin.

“Qeveria nuk iku, tani që nuk iku si do ndodhë ndryshimi? Ndodh me votë. Opozita thotë se nuk hiqet me votë qeveria, sepse i vjedh. Nëse do të kishte një formacion politik të mirëorganizuar të protestës dhe pa ego personale, do të ishte faktor shumë i rëndësishëm”, u shpreh Toska.

Ai nënvizoi se sondazhet, sipas të dhënave që përmendi, tregojnë ekzistencën e një grupimi qytetarësh që nuk ndihen të përfaqësuar nga forcat politike aktuale dhe kërkojnë një alternativë të re. Për Toskan, është shqetësuese që një protestë disa mujore nuk ka arritur ende të prodhojë një përfaqësim të unifikuar.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, gazetari përmendi krijimin e një lëvizjeje të re politike nga një grup studentësh, ekzistencën e një subjekti tjetër dhe mundësinë e angazhimit të pedagogëve. Sipas tij, sfida kryesore është nëse këto grupime do të arrijnë të koordinohen dhe të krijojnë një formacion të përbashkët.

“Nëse ndodh, do të ishte fitore e madhe për protestën që u bë disa mujore tani. Jemi ende në kohë”, deklaroi ai.

Toska u ndal edhe te mungesa e lidershipit, duke argumentuar se një protestë pa një strukturë drejtuese dhe pa një objektiv të qartë politik rrezikon të humbasë mbështetjen e qytetarëve. Sipas tij, grupimi që arrin të përfaqësojë numrin më të madh të protestuesve duhet të jetë i gatshëm të bashkëpunojë për krijimin e një alternative politike.

Ai hodhi gjithashtu idenë e një tryeze koordinuese, ku mund të përfshiheshin përfaqësues diplomatikë ose partnerë ndërkombëtarë të Shqipërisë, duke e konsideruar një mekanizëm të tillë si një mënyrë për t’i dhënë më shumë peshë dhe organizim protestës.

Një tjetër apel i gazetarit ishte për të rinjtë shqiptarë, të cilëve u kërkoi të mos përsërisin përplasjet historike dhe ndasitë e së kaluarës, por të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të ndërtuar një alternativë të re.

Në fund, Toska u ndal te protesta e paralajmëruar për ditën e nesërme, ku pritet të marrin pjesë edhe qytetarë nga diaspora. Ai paralajmëroi se përplasjet fizike me policinë dhe përsëritja e skenarëve të mëparshëm, pa një zhvillim të ri politik, nuk do të prodhonin ndryshimin e kërkuar.

“Sot mendoj se është shansi i fundit. Për çfarë do të protestohet më pas, me 20-30 veta? Ose protesta duhet të vijojë betejën politike ndryshe, ose mendoj se e ka humbur shkëlqimin nëse vijon vetëm me përplasjet në rrugë”, përfundoi Toska.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.