Ilir Meta ka reaguar një ditë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për dënimin e Fatime Kryemadhit, ish-vjehrrës së tij, për pastrim parash.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i Partisë së Lirisë e ka cilësuar vendimin të pavlefshëm nga ana procedurale, duke pretenduar se gjatë hetimit dhe procesit gjyqësor nuk është provuar as fakti penal dhe as bashkëpunimi mes personave të përfshirë.
Meta kundërshton mënyrën se si është zhvilluar procesi, duke theksuar se nuk është thirrur nga trupa gjykuese që dha vendimin, por as nga tre të pandehurit e tjerë.
Sipas tij, ai kishte kërkuar që këta persona të thirreshin gjatë gjykimit të çështjes së tij në themel, në mënyrë që të përballej me pretendimet e Prokurorisë.
Në reagimin e tij, Meta e cilësoi vendimin e GJKKO-së për tre personat që pretendohet se kanë bashkëpunuar me të si pa vlerë procedurale, duke argumentuar se gjatë hetimit dhe gjykimit nuk është pranuar as fakti penal dhe as bashkëpunimi nga të pandehurit. “Vendimi i djeshëm i GJKKO për tre personat e pretenduar, që kanë bashkëpunuar me mua ka ZERO vlerë proceduriale, sepse gjatë hetimit dhe seancave të gjykimit, deri në ditën e ndarjes së çështjes nga GJKKO e Shkallës së Parë, nuk është pranuar as fakti penal dhe as bashkëpunimi nga asnjë i pandehur”, shkruan Meta.
Ai pretendon gjithashtu se vlerësimi i tërësisë së provave nuk vërteton faktin penal që ishte objekt i hetimit dhe gjykimit. “Edhe nga tërësia, vlerësimi i provave të tjera, nuk provohet fakti penal objekt hetimi dhe gjykimi”, thekson Meta.
Duke kundërshtuar zhvillimin e procesit, kreu i Partisë së Lirisë tha se nuk është thirrur nga trupa gjykuese që mori vendimin dhe as nga tre të pandehurit e tjerë.
“Po kështu, unë nuk jam thirrur nga trupa gjykuese që mori vendimin e djeshëm, por as jam thirrur edhe nga tre të pandehurit”, u shpreh ai.
Meta bëri të ditur se kishte kërkuar thirrjen e tre të pandehurve gjatë gjykimit të çështjes së tij në themel, sipas episodeve që pretendon Prokuroria.
“Ndërsa unë kam kërkuar thirrjen e të tre të pandehurve gjatë gjykimit tim në themel sipas episodeve që pretendon Prokuroria”, tha Meta.
Sipas tij, thirrja e këtyre personave kishte për qëllim të rrëzonte çdo pretendim që ai i cilëson falsifikim, manipulim apo alibi propagandistike dhe morale.
“Shkaqet e vendimit tim për t’i thirrur këta tre të pandehur janë për të zeruar çdo pretendim, falsifikim, manipulim dhe çdo alibi propogandistike dhe morale”, deklaroi ai.
Në përfundim të reagimit, Meta theksoi se nuk i shmanget përballjes dhe se beson te vërtetësia e qëndrimit të tij. “Unë nuk di të fshihem, por vetëm të përballem. E vërteta ka qenë dhe do të jetë në anën time dhe të gjithë patriotëve të pamposhtur”, përfundoi Meta.
GJKKO caktoi për Fatime Kryemadhin 7 vite e 6 muaj burgim, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 5 vite dhe u konvertua në 2 vite shërbim prove.
Gjykata rrëzoi gjithashtu kërkesën për konfiskimin e pasurisë së Kryemadhit. Ndërkohë, procesi gjyqësor vijon me gjykimin e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
