Juristi Franc Nuri, komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e gjobave ndaj protestuesve që bllokojnë rrugët gjatë tubimeve.
I ftuar në Syri TV, Nuri e cilësoi këtë vendim si një frenim të masave ekstreme të ndërmarra nga qeveria Rama, duke theksuar se aktet normative nuk parashikonin vetëm gjoba deri në 5 milionë lekë të vjetra, por edhe bllokimin e lëvizjes jashtë vendit dhe krijimin e regjistrave elektronikë për qytetarët që merrnin pjesë në protesta.
Juristi u shpreh se këto masa cenojnë rëndë liritë dhe të drejtat themelore, përfshirë lirinë e shprehjes dhe të tubimit.
Ai paralajmëroi se pezullimi i gjobave nuk përbën një vendim përfundimtar për antikushtetutshmërinë e akteve dhe se qytetarët duhet të jenë vigjilentë deri në shqyrtimin e çështjes në themel.
Nuri u ndal edhe te zhvillimet në Kuvend, ku opozita kërkoi tërheqjen e aktit normativ pas vendimit të Kushtetueses, ndërsa akuzoi mazhorancën se, përmes forcës së kartonave, po anashkalon Kushtetutën dhe vendimmarrjen e gjykatës.
Nuri: Atëherë, sikundër u njoftuam edhe nga mediat, dje Gjykata Kushtetuese dha njoftimin se kishte pezulluar një pikë të atyre kërkesave që kishin paraqitur kërkuesit, për sa i takon masave ekstreme policore ose policiste që qeveria Rama miratoi me urgjencë me akt normativ.
Pra, vetë qeveria bëri ligjin pa pyetur Kuvendin. Në orët e vona të asaj darke i dha fuqi ligjore duke miratuar këto akte normative që qeveria Rama i kishte miratuar ndërkohë dhe që Policia e Shtetit kishte filluar t’i zbatonte, sepse çdo natë dhe çdo ditë ndalonte protestuesit në bulevard, në rrugë, duke qenë të qetë e paqësorë, dhe vendoste ato gjobat që u bënë të famshme, por deri në 5 milionë lekë të vjetra, për një numër të caktuar protestuesish paqësorë.
Por aktet normative që kishte miratuar Rama dhe qeveria e tij, dhe që cenonin rëndë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes, të fjalës, të grumbullimit, të tubimit, të protestës, nuk fokusoheshin vetëm te gjobat, por kishte edhe masa të tjera, si bllokimi i daljes jashtë vendit. E keni dëgjuar se shumë qytetarë ishin bllokuar dhe nuk dilnin dot jashtë Shqipërisë, sepse pikërisht me anë të këtyre akteve të padrejta, të paligjshme dhe antikushtetuese, u ishte bllokuar emri në sistemin policor TIMS dhe nuk lejoheshin të dilnin për shkak të protestës. Kështu i kishte ndodhur edhe zotit Hasimja.
Pra, përveç bllokimit të daljes jashtë vendit, është edhe krijimi i një regjistri elektronik, po ashtu, ku shënohen dhe mbahen shënim me skedarë të gjithë këta persona. Ka edhe masa të tjera ekstreme, nuk ishin vetëm gjobat. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka pranuar për momentin të pezullojë zbatimin e gjobave që u vendoseshin qytetarëve, protestuesve, për bllokimin e rrugëve gjatë tubimeve, deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjeve.
Kjo nuk do të thotë që kjo situatë është zgjidhur përfundimisht. Duhet të jemi vigjilentë, pasi Gjykata Kushtetuese do të marrë vendimin më pas, gjatë disa javëve, kur të caktojë seancën e themelit, se çfarë do të bëjë: do ta rrëzojë aktin apo do ta lërë në fuqi. Por, për momentin, ka vendosur që ta pezullojë, që do të thotë se nuk do të ketë më gjoba të tilla. Normalisht, meqenëse akti është pezulluar dhe Policia e Shtetit nuk ka më të drejtë, duke filluar nga momenti i publikimit të vendimit, nuk ka që nga sot të drejtë të vendosë gjoba ndaj protestuesve paqësorë mbi bazën e këtij akti, tashmë të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.
Mbrëmë në Kuvend ndodhi edhe një incident në aspektin ligjor dhe kushtetues, sepse këtu ka edhe debat. Gjykata Kushtetuese pezulloi aktin përpara se ai të miratohej nga vetë Kuvendi dhe këtu është edhe debati tashmë që opozita, Partia Demokratike, insistoi dje në Parlament, në Kuvend. Kërkoi që i gjithë akti të tërhiqej, sepse një pjesë e tij ishte shpallur e bllokuar, e pezulluar nga Gjykata Kushtetuese dhe nuk mundej që më pas të kalonte dhe të votohej i gjithë akti nga Kuvendi, përfshirë edhe këtë pjesën e gjobave, të kalonte sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Por, me forcën e kartonave, me dhunën e kartonave, nuk pyet për Kushtetutën.













