Rajoni

Kurti: Kosova e vetmja në rajon pa status kandidati për BE, të nisë procesi i negociatave për anëtarësim

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i bëri sërish thirrje Bashkimit Evropian që Kosovës t’ia japë statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e negociatave për anëtarësim.

Në Samitin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që u mbajt në Tiranë, Kurti paralajmëroi se mosveprimi mund ta dëmtojë besimin në perspektivën evropiane të vendit.

Ai theksoi se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Një proces i bazuar në merita duhet të na japë mundësinë të vlerësohemi; përndryshe, një histori e përparimit demokratik rrezikon të shndërrohet në një tregim paralajmërues. Këshilli i Bashkimit Evropian më në fund t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Muaji i ardhshëm shënon katër vjet nga dorëzimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Statusi i kandidatit dhe hapja e negociatave të anëtarësimit – një hap që Kosova e ka fituar me meritë”, tha Kurti.