Një episod i pazakontë dhe aspak sportiv është regjistruar në përballjen mes Pogradecit dhe Ilirisë, e vlefshme për javën e 12-të të Kategorisë së Parë.

Në minutën e 28-të të takimit, futbollisti i Ilirisë, Santiago Selmani, gjatë një dyluftimi për topin me Mateo Shanajn e Pogradecit, tentoi ta kafshonte kundërshtarin. Një skenë që riktheu në kujtesë incidentin e famshëm mes Luis Suarez dhe Giorgio Chiellinit gjatë Botërorit të vitit 2014.

Ngjarja ndodhi para syve të arbitrit Dyrmishi, i cili reagoi menjëherë duke ndëshkuar me karton të kuq Selmanin, ndërsa Shanajt i tregoi kartonin e verdhë.

Vendimi shkaktoi reagime të forta në kampin e Ilirisë, ku për disa momente u diskutua edhe mundësia e tërheqjes së skuadrës nga fusha. Në përpjekje për të qetësuar situatën ndërhyri trajneri Dritan Smajlaj, por edhe ai përfundoi duke u ndëshkuar me karton të kuq.

Përplasjet sollën ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes, e cila rifilloi në minutën e 35-të.

Në fund, Pogradeci shfrytëzoi epërsinë numerike dhe triumfoi me rezultatin e pastër 3-0, duke u ngjitur në krye të renditjes së Kategorisë së Parë.