• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, November 27, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në TranzicionArtikujt dhe intervistat e mësipërme janë pjesë e serisë së refleksioneve rreth rolit të medias në tri dekadat e tranzicionit postkomunist, një projekt i JavaNews në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikës Çeke. Pikëpamjet e shprehura janë të autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit. Çdo portal / gazetë që do t’i ripublikojë këto materiale duhet t’i referohet burimit fillestar.
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

Trump i ndaloi, por Kina i siguroi! Si përfunduan serverët më të fuqishëm të Nvidia-s në Shanghai?

by A R
27/11/2026 16:44
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Dy kompani kineze kanë instaluar procesorë të fuqishëm Blackwell të Nvidia-s në një qendër të dhënash në Shangai, e lidhur me Alice Huang, gruan që është në qendër të një skandali që përfshin gjigantin amerikan të teknologjisë.

Sipas dokumenteve të dorëzuara pranë autoriteteve kineze në muajin nëntor, në projektin Yangtze River Delta është instaluar një server GB300 NVL72, një nga pajisjet më të fuqishme të Nvidia-s. Pajisja i është ofruar si kolateral Bankës Shanghai Innovation për të marrë një kredi prej 96 milionë juanësh, ose rreth 14 milionë dollarë. Kredia është marrë nga kompania Shanghai Shuoyao.

Ndërkohë, një tjetër kompani, Shanghai Kezhan, ka deklaruar se në të njëjtën qendër të dhënash disponon një server GB200, i cili gjithashtu përdor çipa të gjeneratës Blackwell. Kjo kompani mori një kredi prej 90 milionë juanësh në fund të vitit 2025, duke lënë pajisjen si garanci pranë një shoqërie financimi, në pronësi të një agjencie të qeverisë lokale të Shangait.

Dokumentet zbulojnë për herë të parë se procesorët Blackwell të Nvidia-s kanë përfunduar në një qendër të dhënash kineze me lidhje me Alice Huang dhe kompaninë Megaspeed. Këta çipa janë ndër produktet më të fuqishme të Nvidia-s për qendrat e të dhënave dhe eksportimi i tyre drejt Kinës është i ndaluar pa një licencë nga autoritetet amerikane.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar hapur se nuk dëshiron që këta procesorë të dërgohen në Kinë, të paktën për momentin. Ata përdoren edhe nga kompanitë OpenAI dhe Anthropic për të trajnuar modelet e tyre më të avancuara të inteligjencës artificiale.

Edhe drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, kishte deklaruar më herët se këto pajisje janë tepër të mëdha për t’u kontrabanduar. Një server standard GB300 NVL72 është rreth 2 metra i lartë, peshon më shumë se 1.5 tonë dhe përmban 72 çipa Blackwell Ultra dhe 36 procesorë Grace.

Megjithatë, Nvidia dhe drejtuesit e saj janë vënë nën presion të madh javët e fundit, për shkak të dyshimeve se kompania nuk ka arritur të parandalojë kalimin e produkteve të saj drejt Kinës. Zyrtarët amerikanë besojnë se tregtia e paligjshme e këtyre pajisjeve kap vlerën e miliarda dollarëve.

Si përfunduan pajisjet në Kinë?

Ende nuk dihet se si serveri GB300 mbërriti në Kinë, si përfundoi në duart e kompanisë Shanghai Shuoyao dhe si u instalua pikërisht në këtë qendër të dhënash. Sipas mediave lokale, projekti Yangtze River Delta është projektuar për të strehuar deri në 800 mijë serverë.

Bloomberg gjurmoi numrin serial të pajisjes në një bazë publike të të dhënave për garancitë dhe zbuloi se ajo ishte prodhuar nga kompania tajvaneze Gigabyte Technology. Kjo kompani monton çipat e Nvidia-s në serverë dhe sisteme të mëdha kompjuterike.

Të dhënat konfirmuan se numri serial përputhej me modelin GB300 NVL72.

Pajisje të tilla zakonisht kalojnë nëpër disa ndërmjetës dhe rrjete shpërndarjeje përpara se të instalohen në qendrat e të dhënave. Në shumë raste, produktet që përfundojnë duke u kontrabanduar në Kinë janë shitur fillimisht në vende ku eksporti i tyre nuk është i kufizuar.

Bloomberg i kërkoi Gigabyte informacion për blerësin fillestar dhe datën e shitjes së serverit, por kompania nuk pranoi të jepte detaje, duke iu referuar politikave të saj të brendshme. Në një deklaratë, një përfaqësues i saj tha se të gjitha aktivitetet kryhen në përputhje me ligjet dhe rregulloret përkatëse.

Kompania Shanghai Shuoyao, e cila siguroi serverin GB300 dhe e përdori si kolateral për kredinë, ka lidhje të drejtpërdrejta me qendrën e të dhënave dhe me kompaninë Megaspeed, me seli në Singapor. Kjo e fundit është nën hetim nga autoritetet amerikane për dyshimet se ka kontrabanduar çipa të Nvidia-s drejt Kinës.

Sipas raportimeve të mëparshme të Bloomberg, Shanghai Shuoyao nuk iu përgjigj pyetjeve të medias për një vit. Megjithatë, këtë muaj kompania publikoi një deklaratë të rrallë, ku konfirmoi se është një prej ofruesve të shërbimeve për Megaspeed. Ajo e përshkroi bashkëpunimin si një marrëdhënie të kufizuar në aktivitete të zakonshme tregtare.

Nga ana tjetër, Megaspeed kishte përdorur në vitin 2024 një imazh të projektit Yangtze River Delta për t’u prezantuar investitorëve qendrën e saj më të madhe të të dhënave. Ajo e kishte përshkruar objektin si një qendër të një zone të caktuar, pa zbuluar vendndodhjen e shtetit ku ndodhej.

Bloomberg thekson se nuk ka prova që Megaspeed i ka dërguar vetë pajisjet e Nvidia-s në këtë qendër.

Kompania ka mohuar çdo shkelje në përgjigje të hetimit amerikan dhe nuk iu është përgjigjur pyetjeve të përsëritura për projektin. As Nvidia nuk ka komentuar mbi këtë çështje.

Këtë muaj, administrata Trump e përfshiu Megaspeed në listën e zezë tregtare të SHBA-ve, duke argumentuar se ekziston një rrezik i konsiderueshëm që kompania të jetë përfshirë në devijimin e çipave drejt Kinës.

Lidhjet e Alice Huang me projektin

Alice Huang themeloi Megaspeed në vitin 2023. Kompania është një ofrues i shërbimeve kompjuterike në cloud, i njohur si neocloud. Vetëm katër ditë pas krijimit, ajo mori miratimin e Nvidia-s dhe më pas u bë klienti më i madh i kompanisë amerikane në Azinë Juglindore.

Huang ka gjithashtu lidhje me disa kompani që kanë investuar në projektin Yangtze River Delta. President i këtij projekti është Kang Wei, i cili në disa raste është prezantuar si partneri sentimental i Huang, sipas personave të njohur me çështjen.

Ende nuk dihet se në çfarë faze ndodhet ndërtimi i projektit, i cili synon të strehojë deri në 800 mijë serverë. Një kapacitet i tillë do ta vendoste atë në të njëjtën kategori me qendrat gjigante të të dhënave që përdorin kompani si OpenAI.

Po ashtu, nuk është e qartë se çfarë lloj serverësh do të përdoren në këtë projekt. Planet e ndërtimit të shqyrtuara nga Bloomberg parashikojnë një kapacitet shumë të lartë përpunimi në raport me energjinë e konsumuar. Një objektiv i tillë do të ishte jashtëzakonisht i vështirë për t’u arritur vetëm me çipa të prodhuar nga kompani kineze, si Huawei.

Gjithsesi, pajisjet e zbuluara në dokumentet e shqyrtuara nga Bloomberg përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të kapacitetit që kërkon projekti. Dokumentet përfshijnë vetëm pajisjet e lëna si garanci për marrjen e kredive dhe nuk japin një pasqyrë të plotë të investimit.

Megjithatë, ato tregojnë se disa institucione financiare kineze, përfshirë banka me lidhje me qeverinë, kishin dijeni për praninë e pajisjeve të kufizuara të Nvidia-s në vend dhe ishin të gatshme të jepnin kredi duke i pranuar ato si kolateral.

Bloomberg nuk arriti të kontaktonte as kompaninë që i dha kredi Shanghai Kezhan dhe as Bankën Shanghai Innovation. Kjo e fundit, përveç kredisë për Shanghai Shuoyao, kishte dhënë edhe një kredi prej 200 milionë juanësh për një tjetër kompani, Shanghai Longjie, e cila gjithashtu kishte lënë si garanci serverë me çipa të kufizuar të Nvidia-s.

Shanghai Longjie, që ka të njëjtën kompani mëmë me Shanghai Shuoyao, kishte deklaruar në dokumentet zyrtare se dispononte serverë me çipa të gjeneratës së mëparshme Hopper të Nvidia-s. Edhe këta çipa nuk mund të eksportohen ligjërisht drejt Kinës pa miratimin e Washingtonit.

Sipas një raportimi të mëparshëm të Bloomberg, pajisjet ishin prodhuar nga Super Micro Computer dhe Dell Technologies. Megjithatë, nuk dihet nëse dërgesat kishin marrë miratimin e autoriteteve amerikane.

Në qendrën e të dhënave Yangtze River Delta janë zbuluar edhe pajisje të tjera me çipa Hopper. Shanghai Kezhan, e cila kishte deklaruar se dispononte serverin GB200, kishte raportuar gjithashtu praninë e 32 serverëve me çipa H200. Në dokumente, emrat e modeleve përmbanin prefiksin e kompanisë Gigabyte, por mungonin numrat serialë, duke e bërë më të vështirë gjurmimin e tyre.

Shanghai Kezhan ndodhet rreth 500 metra larg qendrës së të dhënave. Ajo është regjistruar në të njëjtin kompleks tregtar ku Shanghai Shuoyao kishte kërkuar inxhinierë për të punuar me çipat H100 dhe H200 të Nvidia-s, dy modele që gjithashtu i nënshtrohen kufizimeve amerikane.

Në shkurt të vitit 2024, të dyja kompanitë shtuan aktivitetet e importit dhe eksportit në regjistrimet e tyre tregtare.

Po atë muaj, kompania kineze e lojërave 7Road, ish-kompania mëmë e Megaspeed, siguroi 16.7% të aksioneve të Shanghai Kezhan përmes një filiali që kishte blerë nga Alice Huang në vitin 2019.

Pjesa tjetër, 83.3% e aksioneve të Shanghai Kezhan, zotërohet përfundimisht nga kompania japoneze NeXPower Japan, sipas të dhënave të Qizhidao, një platformë për informacion mbi kompanitë.

Regjistri zyrtar i bizneseve në Japoni evidenton vetëm një kompani me emrin NeXPower, e regjistruar në mars të vitit 2025. Media kineze Caixin ka raportuar se kompania me seli në Tokio kontrollohet nga Alice Huang.

Bloomberg nuk arriti të kontaktonte NeXPower për të marrë një koment. Punonjësit në adresën e regjistruar të kompanisë nuk konfirmuan nëse aty ndodhej zyra e saj dhe refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve për lidhjet me Alice Huang dhe Shanghai Kezhan. Ndërkohë, adresa e regjistruar e drejtorit të kompanisë rezultoi të ishte një banesë e braktisur.

Dërgesa prej 11 milionë dollarësh nga Malajzia

Në maj të vitit 2025, Shanghai Kezhan mori një dërgesë me vlerë 11 milionë dollarë, e cila u transportua me avion nga Malajzia drejt aeroportit ndërkombëtar të Shangait, Pudong. Sipas të dhënave të përpiluara nga Big Trade Data, kompania kineze ishte regjistruar si përfituese e dërgesës.

Në dokumentet doganore, ngarkesa ishte deklaruar si “shasi për pajisje ruajtjeje”, një strukturë që shërben për vendosjen e komponentëve të serverëve.

Por kodi doganor i përdorur për këtë dërgesë, 847150, i referohet serverëve kompjuterikë. Edhe çmimi për njësi, 264 108 dollarë, ishte shumë i lartë për një shasi të zakonshme, por përputhej me nivelin e çmimeve të serverëve që përdorin çipat Hopper të Nvidia-s.

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Pse shefat e flamingove dhe protestuesve të dhunshme urrejnë Marta Kos dhe krerët e BE

Pse shefat e flamingove dhe protestuesve të dhunshme urrejnë Marta Kos dhe krerët e BE

November 27, 2026
Trump i ndaloi, por Kina i siguroi! Si përfunduan serverët më të fuqishëm të Nvidia-s në Shanghai?

Trump i ndaloi, por Kina i siguroi! Si përfunduan serverët më të fuqishëm të Nvidia-s në Shanghai?

November 27, 2026
Seriali “30 gradë gjerësi veriore ” në ndjekje të qytetërimeve të hershme.

Seriali “30 gradë gjerësi veriore ” në ndjekje të qytetërimeve të hershme.

November 27, 2026

Tirana, e sigurtë sërisht?

November 27, 2026
“Një moment për jetën”, ministri Enea Karakaçi nis fushatën për sigurinë rrugore

“Një moment për jetën”, ministri Enea Karakaçi nis fushatën për sigurinë rrugore

November 27, 2026
Apeli lë në fuqi masat për Gjergj Cukalin, Emiljano Shullazin dhe të pandehurit e tjerë

GJKKO shpall vendimin përfundimtar për 12 të pandehurit e “Revanshit”, ja sa u dënuan Shullazi dhe Avdyli

November 27, 2026
Policia mësyn pranë shkollave, sekuestrohen 40 kg kanabis dhe 1 kg kokainë, 3 në pranga

Policia mësyn pranë shkollave, sekuestrohen 40 kg kanabis dhe 1 kg kokainë, 3 në pranga

November 27, 2026
Përplasjet fizike dhe fyerjet në Kuvend, “Etika” vendos për Ballën, Bardhin dhe Balliun

Bardhi e Balliu kthehen në Kuvend, PD: Përgjegjësi ligjore për firmëtarët e përjashtimit

November 27, 2026
Tre emërime të reja në Dogana, ja kush do të drejtojë pikat e Morinës, Shkodrës dhe Bllatës

Tre emërime të reja në Dogana, ja kush do të drejtojë pikat e Morinës, Shkodrës dhe Bllatës

November 27, 2026
Trump izolon kabinetin në baza ushtarake, ministrat braktisin shtëpitë nga frika e atentateve

Trump izolon kabinetin në baza ushtarake, ministrat braktisin shtëpitë nga frika e atentateve

November 27, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In