Vendosni fjalën kyçe....

Hamasi: Izraeli tentoi të vrasë djalin e liderit Khalil al-Hayya në një sulm në Rripin e Gazës


Hamasi njoftoi të premten se ushtria izraelite u përpoq të vrasë njërin nga djemtë e liderit të saj, Khalil al-Hayya, duke shënjestruar një apartament banimi në Rripin e Gazës, pa bërë të ditur fatin e tij, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, grupi palestinez theksoi se sulmi i ndodhur gjatë natës kishte në shënjestër edhe familjen e djalit të Al-Hayya-s, si dhe familjen e vëllait të tij, Azzam, i cili u vra në një sulm izraelit në maj të vitit 2026.

Hamasi nuk bëri të ditur nëse nga ky sulm pati viktima.

Grupi deklaroi se sulmi erdhi pas kërcënimeve të bëra ndaj liderit të tij nga ministri izraelit në detyrë i Mbrojtjes, Israel Katz, dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i mbajë përgjegjës liderët izraelitë.

Të enjten, në një postim në platformën amerikane të rrjeteve sociale X, Katz kërcënoi me nisjen e një operacioni të ri ushtarak në Gaza, i cili do të përfshinte zhvendosjen e 1 milion palestinezëve, duke përmendur si qëllim çarmatosjen e Hamasit.

Hamasi akuzoi qeverinë izraelite se vazhdon të shkelë marrëveshjen e armëpushimit në Gaza përmes vrasjeve, sulmeve ndaj lagjeve të banuara dhe shkatërrimit të shtëpive.

Grupi theksoi se këto sulme po minojnë përpjekjet për stabilizimin e situatës dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes së armëpushimit.

Ai e bëri Izraelin përgjegjës për pasojat e sulmit të fundit, si dhe për vazhdimin e operacioneve ushtarake në Gaza, pavarësisht armëpushimit.

Më herët, ushtria izraelite ka vrarë katër djem të tjerë të Al-Hayya-s: Hamza-n në vitin 2008, Osama-n në vitin 2014, Hammam-in në një sulm izraelit në Doha, kryeqytetin e Katarit, në shtator të vitit 2025, si dhe Azzam-in në maj të vitit 2026.

Djali i tij i vetëm që ka mbetur gjallë, Ezzedine, u plagos gjatë një sulmi izraelit në Gaza në prill të vitit 2025.

Sipas autoriteteve palestineze, që nga tetori i vitit 2023, fushata ushtarake e Izraelit në Gaza ka shkaktuar vdekjen e rreth 75.000 palestinezëve dhe plagosjen e më shumë se 176.000 të tjerëve, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë.

Gjithashtu, sipas shifrave të raportuara, rreth 90 për qind e infrastrukturës në këtë enklavë është dëmtuar ose shkatërruar.