28 dhe 29 Nëntori, nga Tirana në Vlorë e në mbarë vendin, festime dhe aktivitete

27 Nëntor 2026 | 16:59

114-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë do të festohet në të gjithë vendin me aktivitete të ndryshme, që do të shtrihen nga Tirana në Prishtinë, Vlorë, Berat, Korçë, Krujë, Lezhë, Tropojë e më gjerë. Në qendër të kalendarit janë festat e 28 dhe 29 Nëntorit, por programi përfshin edhe përkujtimin e figurave historike, promovimin e letërsisë dhe prezantimin e krijimtarisë bashkëkohore.

Dita e Pavarësisë, e njohur edhe si Festa e Flamurit, përkujton shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Kjo datë shënohet përmes simboleve kombëtare, tubimeve publike dhe aktiviteteve kulturore që përcjellin historinë dhe identitetin kombëtar.

Një prej aktiviteteve që ka nisur më herët është ekspozita “Kosova e Kadaresë”, e hapur më 24 nëntor në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 6 dhjetor dhe përfshin dorëshkrime, artikuj e letra nga arkivi personal i Ismail Kadaresë, kushtuar Kosovës përgjatë afro gjashtë dekadave.

Festimet muzikore do të nisin më 27 nëntor me koncertin “Tradita që na bashkon”, në Sheshin Skënderbej. Ndërsa më 28 nëntor në Tiranë dhe më 29 nëntor në Vlorë, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve do të prezantojë programin artistik “Për ty, Atdhe”.

Në Vlorë, qytetin ku u ngrit Flamuri, aktivitetet do të nisin në orën 10:00 me ceremoninë zyrtare, ku pritet të marrin pjesë krerët e shtetit. Pas ngritjes së flamurit, autoritetet do të zhvillojnë homazhe pranë varrit të Ismail Qemalit dhe Monumentit të Ushtarit të Panjohur.

Axhenda në Vlorë do të vijojë me koncert artistik dhe paradë me kostume popullore, ndërsa në mbrëmje festimet do të kulmojnë me një koncert të madh festiv.

Në program janë përfshirë edhe artistë nga Kosova. Më 30 nëntor, Kuarteti Harkor i Filharmonisë së Kosovës do të interpretojë në Tiranë koncertin “Quartet in Colors”, ndërsa më 3 dhe 4 dhjetor do të zhvillohet festivali “Netët e Muzikës Shqiptare”.

Kinemaja zë gjithashtu një vend të rëndësishëm në program, me shfaqjen e filmave “Kur pranvera vonohet”, “Rojet e mjegullës” dhe “Kukumi”. Pjesë e kalendarit është edhe dokumentari “Shtëpia e Kombit”, që trajton mikpritjen e familjeve kosovare gjatë luftës së vitit 1999.

Programi përfshin gjithashtu ekspozita etnografike, aktivitete për fëmijët dhe të rinjtë, si dhe nisma që synojnë promovimin e traditave dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në qarkun e Korçës, aktivitetet do të nisin me muzikën e Bandës së Qytetit dhe ceremoninë e nderimit pranë Monumentit të Luftëtarit Kombëtar. Programi vijon me ceremoninë e ngritjes së Flamurit në Katedralen e qytetit, ndërsa më 29 nëntor do të organizohen aktivitete artistike dhe ceremonia përkujtimore në Varrezat e Dëshmorëve.

Edhe në Elbasan, 28 dhe 29 Nëntori do të shoqërohen me muzikë, këngë dhe interpretime artistike. Në Teatrin “Skampa” është organizuar koncerti festiv me titull “Për Ty… Shqipëri”.

Aktivitetet për festat e Pavarësisë dhe Çlirimit do të shtrihen edhe në qytete të tjera të vendit, me programe që ndërthurin ceremonitë përkujtimore, muzikën dhe promovimin e kulturës shqiptare.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“107 mijë vullnete për ta çuar vendin në referendum”, Lapaj dorëzon firmat në KQZ 

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka depozituar këtë të premte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbi 107 mijë firma në mbështetje të nismës për zhvillimin e një...
16:55 | 27/11/2026

Grupimi “Studentët n’Protestë”: Mbështesim protestën, nuk jemi pjesë e asnjë partie politike!

Grupimi “Studentët n’Protestë” ka reaguar përmes një komunikate publike, duke sqaruar se nuk janë pjesë e asnjë partie politike dhe nuk mbështet asnjë forcë politike....
16:06 | 27/11/2026

78 vite e 4 muaj burg për 12 të pandehur të dosjes “Revanshi”, ja sa u dënuan Shullazi dhe Avdyli

Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për dosjen e bujshme të krimit të organizuar, të njohur si “Revanshi”, ku në bankën e të akuzuarve ishin...
15:44 | 27/11/2026