Gjermania dhe Austria kërkojnë që operacionet europiane të TikTok të kalojnë nën pronësi dhe kontroll europian, duke argumentuar se rregullat aktuale nuk garantojnë mjaftueshëm sigurinë e të dhënave dhe mbikëqyrjen e algoritmeve të platformës kineze.
Nisma u prezantua pas një takimi në Vjenë mes ministrit gjerman të Kulturës dhe Medias, Wolfram Weimer, dhe sekretarit austriak të Shtetit për Digjitalizimin, Alexander Pröll. Dy vendet synojnë të sigurojnë kontroll jo vetëm mbi kapitalin e kompanisë, por edhe mbi infrastrukturën teknologjike, përfshirë algoritmin që përcakton përmbajtjet e rekomanduara për përdoruesit dhe aksesin në të dhënat e tyre.
TikTok ka rreth 200 milionë përdorues në Europë. Në Gjermani dhe Austri, platforma përdoret nga afërsisht një e treta e popullsisë, çka e bën atë një kanal të rëndësishëm të informimit dhe ndikimit në opinionin publik, veçanërisht te të rinjtë.
Berlin dhe Vjena synojnë të mbledhin mbështetjen e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian për këtë propozim, në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Telekomunikacionit, që do të mbahet më 2 dhjetor në Bruksel.
Nisma vjen në një kohë kur TikTok është përballur edhe me shqyrtimin e institucioneve europiane. Më 6 nëntor, Komisioni Europian arriti në përfundimin paraprak se platforma kishte shkelur Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA), lidhur me mënyrën se si algoritmi i saj ekspozon përdoruesit ndaj përmbajtjeve potencialisht të dëmshme.
Europa synon të ndjekë modelin amerikan
Në janar të këtij viti, ByteDance, kompania kineze që zotëron TikTok, transferoi kontrollin e operacioneve amerikane te një sipërmarrje e përbashkët me shumicë pronësie amerikane. Marrëveshja u bë për të shmangur ndalimin e platformës në Shtetet e Bashkuara.
Gjermania dhe Austria argumentojnë se një model i ngjashëm mund të zbatohet edhe në Europë, duke i dhënë vendeve europiane më shumë kontroll mbi funksionimin e platformës dhe të dhënat e përdoruesve.
TikTok kundërshton propozimin
Kompania e ka kundërshtuar nismën e Berlinit dhe Vjenës, duke argumentuar se ajo shpërfill kuadrin rregullator europian dhe masat që TikTok ka ndërmarrë për mbrojtjen e të dhënave përmes programit “Project Clover”, në të cilin thotë se ka investuar 12 miliardë euro.
TikTok thekson se operacionet e saj europiane menaxhohen nga subjekte të regjistruara në Irlandë dhe Britaninë e Madhe. Kompania pretendon gjithashtu se shumica e aksioneve të ByteDance zotërohen nga investitorë institucionalë ndërkombëtarë dhe se qeveria kineze nuk ka aksione në kompani.
Propozimi i Gjermanisë dhe Austrisë hap kështu një debat të ri në Europë mbi pronësinë, sigurinë e të dhënave dhe kontrollin e platformave të mëdha digjitale, ndërsa mbetet për t’u parë nëse nisma do të gjejë mbështetjen e vendeve të tjera të BE-së.


