Përplasja e Elisa Spiropalit me Edi Ramën rikthen në vëmendje një fenomen të politikës shqiptare: raportin e zyrtarëve të lartë me pushtetin kur janë pjesë e tij dhe raportin me të njëjtin pushtet kur humbasin funksionet.
Elisa Spiropali mbajti disa prej posteve më të rëndësishme të shtetit shqiptar.
Ishte kryetare e Kuvendit dhe ministre e Jashtme. Për vite me radhë ishte një prej figurave përfaqësuese të mazhorancës socialiste dhe mbrojtëse publike e politikave të Edi Ramës.
Pas largimit nga funksionet e larta shtetërore, ligjërimi i saj politik ndryshoi. Sot ajo flet për personalizimin e pushtetit, deformimin e votës, korrupsionin dhe përdorimin e institucioneve.
Por këtu lind një pyetje politike: ku ishin këto shqetësime kur Spiropali ushtronte funksionet më të larta të shtetit? A ekzistonin edhe atëherë problemet që denoncon sot?
Pavarësisht ligjërimit të sotëm kundër kryeministrit, Elisa Spiropali në kujtesën politike të shqiptarëve do të mbetet si Mamica e Ramës, ndërsa Edi Rama si Skënderbeu i saj.
Përplasja mori një dimension tjetër kur në skenë dolën kontrollet e administratës tatimore ndaj bizneseve të lidhura me familjen e saj.
Mbetet për t’u provuar nëse kemi të bëjmë me përdorimin politik të administratës apo me zbatimin e zakonshëm të ligjit. Por kronologjia e ngjarjeve ngre pikëpyetje mbi ndërthurjen e interesave politike me ato familjare.
Ndryshe nga Erion Veliaj, përballja e të cilit me Edi Ramën u thellua në kushtet e burgimit, Elisa Spiropali përballet me përjashtimin politik ndërsa është në liri.
Përjashtimi nga grupi parlamentar socialist shënon mbylljen e një kapitulli të rëndësishëm të karrierës së saj, por jo domosdoshmërisht fundin e veprimtarisë politike.
Në pasqyrën e ambicieve politike mund të shfaqet edhe figura e një kryeministreje të ardhshme.
Por mes ambicies për të drejtuar vendin dhe ndërtimit të një alternative politike qëndrojnë besueshmëria, koherenca dhe përgjegjësia për të shkuarën.
Përplasja me Ramën nuk e fshin automatikisht historinë e bashkëpunimit me të. As kritikat e sotme nuk i japin përgjigje pyetjes se çfarë përgjegjësie mbajnë ish-drejtuesit e mazhorancës për sistemin që denoncojnë pasi largohen prej tij.
Kjo është edhe dilema që shtron rasti i Elisa Spiropalit: a kemi të bëjmë me një shkëputje parimore nga modeli i qeverisjes apo me një konflikt të lindur nga humbja e pushtetit?





