Rezerva valutore arrin rekord të ri në vlerën e 8.75 miliardë eurove

Rezerva valutore të vendit vazhdon të rritet dhe ka shënuar rekorde të reja hisotrike gjatë vjeshtës.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e mjeteve të rezervës në fund të muajit tetor arriti në 8.75 miliardë euro, në rritje me 23.6% me bazë vjetore.
Rritja e vazhdueshme e vlerës së rezervës valutore besohet se po mbështetet sidomos nga blerjet e mëdha të valutës nga Banka e Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për gjashtë muajt e parë të vitit 2026 Banka e Shqipërisë bleu rreth 664 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.
Kjo ishte vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet e valutës janë rritur me 241%.
Ndërkohë, blerjet besohet se kanë qenë në shifra shumë të mëdha edhe gjatë sezonit veror, në përgjigje të forcimit të vazhdueshëm të Lekut në kursin e këmbimit me Euron.
Pavarësisht blerjeve të mëdha të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka vijuar rënien dhe ka prekur rekorde historike poshtë nivelit të 90 lekëve gjatë muajit nëntor.
Në periudhën 2024-2025, Banka Qendrore bleu më shumë se dy miliardë euro në tregun e brendshëm valutor, me qëllim për të frenuar forcimin e vazhdueshëm të Lekut në kursin e këmbimit.
Megjithatë, ndryshimi i vlerës së rezervës në valutë të huaj nuk është i lidhur vetëm me volumin e investimeve të reja, por edhe lëvizjet e çmimit të instrumenteve financiare dhe metaleve të çmuara në tregjet ndërkombëtare.
Në fund të muajit tetor, titujt e borxhit përbënin 81% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në cash përbënin afërsisht 11% të saj. Pjesa e mbetur e rezervës është e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Rezerva valutore është instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të Euroizimit të sektorit financiar në vend.
Rritja e rezervës valutore ka sjellë kosto të konsiderueshme në bilancin e Bankës së Shqipërisë, si rezultat i forcimit të kursit të këmbimit të monedhës vendase. Për vitin 2025, humbjet neto nga ndryshimet e kurseve të këmbimit kishin vlerën e 24.1 miliardë lekëve. Humbjet në këtë zë u rritën me 79% krahasuar me një vit më parë.
Vlerësohet se humbjet nga krusi janë zgjeruar më tej gjatë këtij vitit. Sipas statistikave zyrtare, në fund të muajit tetor vlera e kapitalit të Bankës së Shqipërisë ishte negativ në vlerën e 31.6 miliardë lekëve, me një përmirësim shumë të vogël nga niveli 31.7 miliardë lekë i muajit shtator. Këto janë nivelet më të ulëta historike të kapitalit të Bankës së Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.










