Kokaina është substanca narkotike më e raportuar në rastet e paraqitjes në urgjencat spitalore në Europë.
Të dhënat më të fundit të publikuara nga Agjencia e Bashkimit Europian për Drogat (EUDA), më 17 nëntor 2026, tregojnë se kokaina është në krye të rasteve të helmimit akut nga përdorimi i lëndëve narkotike.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025, kokaina u evidentua në 32% të rasteve të analizuara, duke lënë pas kanabisin me 24% dhe amfetaminat me 11%.
Në total, rrjeti europian Euro-DEN Plus regjistroi 14.666 paraqitje në urgjencat spitalore për shkak të toksicitetit akut nga droga. Analiza e detajuar për 19 vende, përfshirë 18 shtete të BE-së dhe Norvegjinë, përfshiu 7.439 raste.
Raporti evidenton gjithashtu se 72% e pacientëve ishin meshkuj, ndërsa mosha mesatare ishte 33 vjeç. Në 66% të rasteve, pacientët mbërritën në spital me ambulancë.
Një tjetër shqetësim është përdorimi i kombinuar i substancave. Vetëm 39% e rasteve përfshinin një substancë të vetme, ndërsa në 38% të tyre ishte konstatuar përdorimi i disa substancave njëkohësisht.
Të dhënat tregojnë se kokaina vijon të përbëjë një nga sfidat kryesore për shëndetin publik në Europë, për shkak të ndikimit të saj në shëndetin e përdoruesve dhe rritjes së rasteve që kërkojnë ndërhyrje mjekësore urgjente.













