Izraeli në alarm për sulme të mundshme iraniane, Trump paralajmëron Teheranin me kundërpërgjigje

Izraeli po përgatitet për skenarë të mundshëm sulmesh iraniane brenda territorit të tij, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta mes përballjes së vazhdueshme mes SHBA-së dhe Iranit.
Sipas raportimeve të medias izraelite Channel 14, zyrtarët e sigurisë kanë konstatuar një shtim të përpjekjeve nga Irani për të organizuar sulme brenda Izraelit.
Këto skenarë përfshijnë rrëmbime, vendosje të mjeteve shpërthyese në automjete dhe veprime të tjera që konsiderohen kërcënime serioze për sigurinë e vendit.
Burime të sigurisë izraelite cituar nga media vendase kanë deklaruar se Teherani është i vetëdijshëm për pasojat e një sulmi të drejtpërdrejtë nga territori iranian, ndaj sipas tyre po kërkon të veprojë përmes aleatëve dhe grupeve të lidhura me të në rajon.
Ndërkohë, gazeta izraelite “Yediot Aharonot” raportoi se gjatë diskutimeve të fundit të sigurisë janë shfaqur qëndrime të ndryshme mbi mënyrën e reagimit ndaj Iranit. Sipas raportit, drejtori i Mossadit, Roman Gofman, ka mbështetur mundësinë e një sulmi të pavarur izraelit kundër Iranit, edhe pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Në krahun tjetër, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Eyal Zamir, preferon koordinimin me Uashingtonin për çdo veprim të mundshëm ushtarak.
Nga SHBA-ja, presidenti Donald Trump deklaroi gjatë një konference për shtyp në Florida se Uashingtoni do të vazhdojë të forcojë praninë e tij ushtarake në Lindjen e Mesme.
Ai paralajmëroi gjithashtu Iranin se objekti Jabal al-Fas mund të kthehet në objektiv nëse rifillojnë sulmet.
Zhvillimet e fundit tregojnë se shqetësimet për një përshkallëzim të ri të tensioneve mes Izraelit dhe Iranit mbeten të larta, ndërsa palët po vijojnë të shkëmbejnë paralajmërime dhe mesazhe force.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




