Nga Mero Baze
Kur studentët fituan betejën elektorale me Vuçiçin në Serbi, pati një ekzaltim të jashtëzakonshëm në Shqipëri dhe Kosovë, jo aq për ndonjë gjë të re që po ndodhte në Serbi, por nga shpresa se, si Vuçiçi, do ta pësonte dhe Edi Rama në Shqipëri.
Aq e fortë ishte kjo, sa harruan për një moment se kush po fitonte në Serbi. Gëzoheshin vetëm për atë që humbi dhe akoma më shumë gëzoheshin kur ëndërronin se kush mund të humbiste në Tiranë.
Aq e fortë ishte kjo, sa mbështetësit e Albin Kurtit në Kosovë filluan të thonë se rrëzimin e Vuçiçit e ndihmoi dhe e shpejtoi dhe Albin Kurti.
Nuk e di se si ju duket kjo deklaratë tani që në krye të Serbisë po vjen llumi i nacionalizmit serb dhe pjesa më idiote e asaj që quhet elitë universitare atje. E vetmja gjë e mirë për Kosovën me atë që ndodhi në Serbi është që aty ndodhi një gjë edhe më e keqe se ç’ka ndodhur në Kosovë dhe kjo e bën Kosovën të duket më e bardhë se Serbia tani e tutje në Evropë.
Por entuziastët e fitores së “studentëve” në Serbi nuk po gëzoheshin se po vinin në pushtet ca serbë më të këqij, por po gëzoheshin nga shpresa se ata serbët e këqij që po fitonin do të imitoheshin nga shqiptarët e “mirë” në Tiranë.
Ndërkohë, dje një parti e re u krijua në emër të protestave dhe studentëve që në fakt nuk kanë asnjë lidhje me protestën dhe duket se ka ngjallur pakënaqësitë e para. Është interesante se ata që janë mërzitur nga krijimi i partisë po i referohen përsëri Serbisë dhe po thonë se ky është një imitim i keq i protestave në Serbi dhe i suksesit të tyre.
Tani duhet ta bëjmë të qartë, pa komplekse, një gjë.
Ajo që ka ndodhur në Serbi është një regres nga pikëpamja politike për Serbinë dhe rajonin. Në pushtet kanë ardhur një çorbë nacionalistësh milosheviçianë, dhe më keq se ai, idhtarë të Arkanit, fosile të shovinizmit serb, idiotë, konspiracionistë dhe gjithçka tjetër që mund të shohësh dhe në rrugët e Tiranës, me aq pak vetë sa ka.
Tani, nëse duam të bëhemi cinikë e të gëzohemi që Serbia e ka pësuar keq me këta që kanë ardhur në pushtet, mund ta bëjmë. Por nuk është serioze. Mund të gëzohemi që Serbia ia doli përsëri të nxjerrë llumin e saj në sipërfaqe dhe ta ngrejë në pushtet. Për shqiptarët kjo është gjithmonë fat. Madje fati më i madh i tyre u bë marrëzia e Milosheviçit, i cili detyroi Perëndimin ta bombardonte për Kosovën.
Por kur vjen puna tek imitimi i Serbisë në Shqipëri, mbajeni pak gojën, se dorën ua mbajnë dhe të tjerët.
Mos na e shisni Serbinë si model suksesi dhe mos u dëshpëroni që nuk e imitoni dot. Për të mirën e Shqipërisë, është mirë mos ta imitoni, se nuk i sjell asgjë të re dhe asgjë të mirë vendit, përveç një tufe injorantësh dhe gjithë llumrave të dekantuara nga tranzicioni në fund të poçeve të partive të vjetra.
Shqipëria këta gjashtë muaj nuk pati fuqi të nxirrte në krye të protestave qoftë dhe një individ normal. Nuk po them ndonjë yll politik apo ndonjë energji pozitive, po së paku një njeri normal që di shqip, ka lexuar 5 libra dhe nuk ka urrejtje. Gjithë tribunat u mbushën me injorantë, delinkuentë, linçues, dhunues, blogere kokëboshe dhe urrejtës patologjikë që larguan qytetarët nga rruga.
Tani mos u çudisni që ajo që dekantoi në fund të protestave pesëmujore prodhon parti të tilla si ajo e djeshmja, ku përfaqësuesja fjalës “kakofoni” i thotë “kankofoni”. Nga gjithë ajo zhurmë për ndryshim që vjen, ka ecur mirë dhe kaq. Por mos u dëshpëroni që nuk po ia dilni të imitoni Serbinë. Serbia nuk ka fituar asgjë prej tyre. Prej tyre deri tani e fituar është vetëm Kosova, pasi nuk është vetëm Albin Kurti dele e zezë në Perëndim. Tani janë dhe ata.
Kurse këtu i vetmi mobilizim i tyre është të prishin festën kombëtare më 28 nëntor. Për këtë duhen marrë leksione nga Serbia. Madje mendoj se dhe protestues duhen marrë, se mund ta bëjnë më mirë këtë punë.










