Qeveria miratoi një akt të ri normativ, një ditë para protestës kombëtare të paralajmëruar më 28 nëntor, që synon kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve. Akti, i përbërë nga 16 nene, vendos përgjegjësi financiare jo vetëm mbi autorët e akteve të dhunës, por edhe mbi organizatorët e protestave, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 9. Sipas këtij neni, “Organizata ose individët që kanë zhvilluar, drejtuar dhe organizuar tubimin, nëse ka të tillë, përgjigjen solidarisht me autorët për dëmin, me përjashtim të rastit kur provohet që veprimet e dhunshme nuk janë nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësinë që t’i parandalojnë ato”.
Shteti mund të kompensojë plotësisht ose pjesërisht dëmet ndaj pronës së qytetarëve dhe bizneseve me aktivitet tregtar nën 14 milionë lekë në vit, edhe kur autori i dëmit nuk është identifikuar. Avokatura e Shtetit do t’u kërkojë personave përgjegjës kthimin e shumave të paguara; nëse detyrimi nuk shlyhet brenda 30 ditëve dhe nuk lidhet një marrëveshje restauruese, ndaj tyre mund të ngrihet padi në gjykatë. Siç shprehet akti, Avokatura i fton subjektet e identifikuara të kthejnë vullnetarisht shumën e kompensimit dhe, nëse kjo nuk ndodh, është e autorizuar të ngrejë padinë e regresit në masën e kompensimit të dhënë.
Për dëmet ndaj pasurisë shtetërore dhe publike, Avokatura e Shtetit kërkon në çdo rast shpërblimin e dëmit në emër dhe për llogari të tyre. Akti parashikon gjithashtu mundësinë e shlyerjes së detyrimeve financiare, tërësisht ose pjesërisht, me punë në interes publik nëpërmjet një marrëveshjeje vullnetare; për të miturit kërkohet pëlqimi i prindërve, dhe puna duhet të jetë e përshtatshme për moshën dhe të mos pengojë shkollimin.
Në akt theksohet se askush nuk mban përgjegjësi vetëm për shkak të pjesëmarrjes në një tubim. Vendimmarrja e qeverisë erdhi pas miratimit në orët e para të mëngjesit nga Kuvendi të dy akteve normative për ndryshimet në ligjin “Për tubimet” dhe kompensimin e bizneseve të dëmtuara gjatë protestave. Ndryshe nga akti i mëparshëm, akti i ri nuk kufizohet në një periudhë të caktuar, por përcakton një mekanizëm të përgjithshëm për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve gjatë tubimeve.
