Një ditë para protestës kombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor, qeveria miratoi një akt të ri normativ me 16 nene për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve. Akti parashikon që përgjegjësi financiare për dëmet mbajnë jo vetëm autorët e akteve të dhunës, por edhe organizatorët e protestave, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 9. Në të thuhet: “Organizata ose individët që kanë zhvilluar, drejtuar dhe organizuar tubimin, nëse ka të tillë, përgjigjen solidarisht me autorët për dëmin, me përjashtim të rastit kur provohet se veprimet e dhunshme nuk janë nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësinë që t’i parandalojnë ato.”
Shteti mund të kompensojë plotësisht ose pjesërisht dëmet ndaj pronës së qytetarëve dhe bizneseve me aktivitet tregtar nën 14 milionë lekë në vit, edhe kur autori i dëmit nuk është identifikuar. Avokati i Shtetit do t’u kërkojë personave përgjegjës kthimin e shumave të paguara; nëse detyrimi nuk shlyhet brenda 30 ditësh dhe nuk lidhet një marrëveshje restauruese, ndaj tyre mund të ngrihet padi në gjykatë. Teksti përfshin edhe njoftimin: “Avokatura e Shtetit fton subjektin e identifikuar si përgjegjës për shkaktimin e dëmit që të kthejë vullnetarisht shumën e kompensimit. Nëse subjekti nuk e shlyen shumën brenda 30 ditëve… Avokatura e Shtetit është e autorizuar… të ngrejë padinë e regresit ndaj autorëve të dëmit, në masën e kompensimit të dhënë ndaj të dëmtuarit.”
Neni 8 përcakton se, pavarësisht nëse vendoset kompensimi paraprak, Avokatura e Shtetit, në çdo rast, kërkon shpërblimin e dëmit në emër dhe për llogari të institucioneve publike. Neni 10 lejon lidhjen e marrëveshjeve restauruese, ku detyrimi mund të shlyhet tërësisht ose pjesërisht me punë në interes publik. Akti parashikon mundësinë e shlyerjes së detyrimeve me punë në interes publik përmes marrëveshjeve vullnetare; për të miturit kërkohet pëlqimi i prindërve dhe puna duhet të jetë e përshtatshme për moshën dhe të mos pengojë shkollimin. Po ashtu, sanksionohet se askush nuk mban përgjegjësi vetëm për shkak të pjesëmarrjes në një tubim.
Vendimmarrja e qeverisë vjen pasi Kuvendi miratoi më herët dy akte normative për ndryshimet në ligjin “Për tubimet” dhe kompensimin e bizneseve të dëmtuara. Ndryshe nga akti i mëparshëm, akti i ri nuk kufizohet në një periudhë të caktuar, por përcakton një mekanizëm të përgjithshëm për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve gjatë tubimeve.
