Gati gjysmë milioni shqiptarë marrin më pak se 760 lekë në ditë, që është edhe kufiri i vendosur nga Banka Botërore për t’u konsideruar të varfër. Kjo është gjetja e një raporti të Bankës Botërore, e cila thekson po ashtu se niveli i varfërisë ka pësuar ulje, por me ritëm shumë të ngadaltë përgjatë këtij viti. Thënë ndryshe, mbi 21 për qind e popullsisë, referuar kufirit ndërkombëtar të varfërisë kanë një buxhet prej më pak se 760 lekësh për të shpenzuar gjatë një dite. Duke iu referuar shifrave të censit të 2023, që nxorri se në Shqipëri jetojnë rreth 2.4 milionë banorë, kjo nënkupton se janë 480 mijë qytetarë të varfër, sipas vlerësimit të Bankës Botërore.