Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka dërguar për gjykim çështjen në ngarkim të 4 personave, të dyshuar për vrasjen e të riut Renis Dobra në Madhesh të Matit.
SPAK e kishte dërguar dosjen për Fation Bushgjokajn, Petrit Hoxhën, i njohur edhe si Petrit Çakraj, Kristë Bushgjokajn dhe Aleksandër Bushgjokajn në GJKKO në datën 7 tetor të këtij viti.
Ata akuzohen për ‘rrëmbim ose mbajtje peng të personit, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal’.
Dosja, që i përket procedimit penal nr. 181 të vitit 2025, u shqyrtua në seancën paraprake të 27 nëntorit, ku GJKKO pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për kalimin e saj në gjykim. Me këtë vendim, katër të pandehurit do të përballen me procesin gjyqësor për akuzat e ngritura nga SPAK.
Vrasja e Renis Dobrës:
3 vëllezërit nga Tropoja dhe Çakri e ndiqnin Dobrën me makina të marra me qira në Rinas e Yzberisht që i ndryshonin çdo ditë. Zanafilla e konfliktit dyshohet të kenë qenë çështje droge pasi Fation Bushgjokaj kishte deklaruar se me Dobrën kishte punuar më parë në Gjermani, por mosmarrëveshjet ishin sqaruar.
Megjithëse kanë shpresuar të mos pikaseshin, kamerat e sigurisë dhe sistemi GPS në automjete kanë dokumentuar lëvizjet e tyre në Burrel e Klos-Zenisht. Mbrëmjen e 8 korrikut të kaluar, ndërsa udhëtonin në makina të ndara, Petrit Çakraj dhe Kristë Bushgjokaj kanë vënë re te Ura e Matit, Benz-in e Dobrës.
Nga aty, i janë vënë pas me mjetin e tyre Hyundai Santa Fe dhe paralelisht, kanë sinjalizuar dy të tjerët, Fation e Aleksandër Bushgjokajn që ishin në një Range Rover.
Dy minuta para se ora të trokiste 22:00, Range i ka prerë rrugën makinës së Dobrës te Kroi i Suçit. Aty, 23-vjeçari është nxjerrë me forcë nga makina dhe është rrëmbyer me Range.
Një prej autorëve ka marrë drejtimin e makinës së viktimës dhe tre automjetet kanë udhëtuar nga Burreli drejt Ulzës e Shkopetit. Siç ekspertiza provoi, Dobra është dhunuar dhe më pas mbytur me litar brenda në makinë, para se vrasësit ta hidhnin në liqen.
Trupi i tij u gjet buzë liqenit të Shkopetit, ndërsa makina në ujë.
Çakri ka dëshmuar më herët se nuk ka gisht në vrasjen e Dobrës pasi sipas tij, i kanë thënë të largohej në momentin që u futën në një makinë të tretë. Ai ka deklaruar se 3 vëllezërit e kishin marrë me vete për të kërkuar drogë në fshatra të Burrelit.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë









Komente
Komento