Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 136 kilogramë kanabis të premten në autostradën “Arbën Xhaferi”, pranë daljes Doganaj-Kaçanik, ku janë arrestuar tre persona.

Personat nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, synonin transportimin, shitjen dhe shpërndarjen e koakinës nga Shqipëria, përmes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, drejt Turqisë. Policia ka sekuestruar tre makina, një motor dhe 680 euro cash.

Sipas informacioneve njëra prej makinave tentoi t'i ikte policisë, duke shkaktuar përplasje në trafik, teksa efektivët përdorën armët e zjarrit për ta ndaluar.

Ndërkohë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se një nga automjetet e përfshira në këtë rast ngre dyshime për përfshirjen e një polici në këtë aktivitet kriminal, ku bën me dije se Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar për hetimin e tij.

“Gjatë operacionit, një nga automjetet e dyshuara, në përpjekje për t’i shpëtuar Policisë, shkaktoi aksidente trafiku, ndërsa oficerët e policisë u detyruan të përdorin armë zjarri për ta ndaluar atë. Një nga automjetet e përfshira në këtë rast ngre dyshime për përfshirjen e një oficeri policie në këtë aktivitet kriminal. Inspektorati i Policisë së Kosovës është i përkushtuar për të hetuar plotësisht dhe sqaruar rrethanat e rastit."-shkruan Sveçla.