Klodian Gjinaj, anëtar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe inxhinier mekanik, ka ngritur shqetësimin për largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria, duke e cilësuar mungesën e mundësive dhe meritokracisë si ndër arsyet kryesore që i shtyjnë ata drejt emigracionit.
Gjatë fjalës së tij në Foltoren e Ripërtëritjes në Kamëz, në prani të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, Gjinaj vlerësoi vendimin për vendosjen e rinisë në qendër të procesit të ripërtëritjes së partisë.
Ai theksoi se Shqipëria ka nevojë për mundësi të barabarta, vlerësim të meritës dhe mbështetje për të rinjtë që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.
Klodian Gjinaj: I nderuar doktor Sali Berisha, të nderuar drejtues të Partisë Demokratike, të dashur demokratë, miq dhe bashkëqytetarë të Kamzës. Unë jam Klodian Gjinaj dhe është kënaqësi dhe përgjegjësi e veçantë për mua të jem sot këtu në këtë takim të rëndësishëm për Partinë Demokratike, në një moment kur flasim për ripërtëritjen, forcimin dhe të ardhmen e Partisë Demokratike. Dua ta nis duke shprehur vlerësimin tim për profesor doktor Sali Berishën dhe për vendimin e tij për të vendosur rininë në qendër të procesit të ripërtëritjes së Partisë Demokratike. Ky është një mesazh i rëndësishëm sepse një parti politike nuk matet vetëm me historinë dhe kontributet e saj, por edhe me aftësinë për të ndërtuar të ardhmen. Dhe e ardhmja e Partisë Demokratike është e lidhur ngushtë me rininë shqiptare. Të dashur të pranishëm, kur flasim për rininë, nuk mund të mos flasim për realitetin me të cilin përballet sot Shqipëria. Pas kaq vitesh të qeverisjes, një nga plagët më të mëdha të shoqërisë sonë mbetet largimi i të rinjve. Të rinjtë shqiptarë po largohen jo sepse nuk e duan vendin e tyre, por sepse nuk po gjejnë mundësitë që meritojnë. Po largohen studentë, profesionistë, njerëz të arsimuar, të rinj që investuan vite në shkollimin e tyre dhe që në fund e shohin emigrimin si të vetmen rrugë për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe më të re. Çfarë kuptimi ka të flasim për zhvillim kur familjet shqiptare po humbasin fëmijët e tyre? Çfarë kuptimi ka të flasim për të ardhmen kur një i ri që mbaron universitetin mendon më parë si të largohet nga Shqipëria sesa si të ndërtojë karrierën e tij këtu? Sot, në vend që të krijohen mundësi për të rinjtë, shumë prej tyre përballen me një realitet ku njohjet dhe lidhjet shpesh perceptohen si më të rëndësishme sesa diploma, puna dhe aftësitë. Meritokracia duhet të jetë themeli i një shoqërie normale, por shumë të rinj nuk ndihen të vlerësuar për atë që dinë dhe për atë që mund të japin. Edhe sipërmarrjet e të rinjve përballen me vështirësi. Një i ri që dëshiron të hapë një biznes, të investojë dhe të krijojë vende pune, ka nevojë për një shtet që mbështet, jo për pengesa dhe pasiguri. Doktor Berisha, Partia Demokratike ka një histori të rëndësishme në rrugëtimin demokratik të Shqipërisë. Ajo ka qenë dhe duhet të mbetet një forcë politike që beson te liria, te iniciativa e lirë, te meritokracia dhe te mundësitë e barabarta. Vendimi juaj për të vënë rininë në qendër të ripërtëritjes është një mundësi e rëndësishme për të ardhmen e kësaj partie. Në fund, dua të bashkohem me thirrjen se Shqipëria nuk ka luks të humbasë më asnjë brez të rinjsh. Një vend që humb rininë, humb të ardhmen. Një parti që beson te rinia, investon te e ardhmja. Shumë faleminderit!
© SYRI.net
181 ditë revoltë/ Qytetarët në protestë, kërkojnë dorëheqjen e Ramës – Policia, kordon te Kryeministria
VIDEO/ Berisha: Në qeverisjen e PD, numri i shqiptarëve vetëm rritej. Kishte korrupsion, por ai luftohej me vendosmëri
Nëse shqiptarët janë ‘implant’ në Maqedoni, atëherë le ta shpallin atë shtet pa shqiptarë!