Këshilli i Ministrave ka miratuar ngritjen dhe funksionimin e sistemit të unifikuar të numrit të emergjencës 112, i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit, për të koordinuar ndërhyrjen e strukturave përgjegjëse në rastet e aksidenteve dhe emergjencave.
Sipas vendimit, përgjegjësia për koordinimin, drejtimin, mbikëqyrjen dhe administrimin e sistemit do t’i takojë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Sistemi synon të garantojë komunikimin dhe paralajmërimin e hershëm për situatat emergjente, si dhe aktivizimin e koordinuar të shërbimeve përkatëse në të gjithë territorin e vendit.
Numri 112 do të ofrojë shërbim të centralizuar në gjuhën shqipe dhe angleze. Një prej risive të parashikuara është identifikimi i vendndodhjes së telefonuesit përmes teknologjisë AML (Advanced Mobile Location), e cila mundëson përcaktimin e pozicionit gjeografik të pajisjeve inteligjente që përdorin sistemet Android dhe iOS.
Qytetarët do të mund të komunikojnë gjithashtu përmes mesazheve SMS dhe formave të tjera të komunikimit me tekst, përfshirë videon, kur kjo të jetë teknikisht e mundur. Kjo mundësi synon të lehtësojë përdorimin e shërbimit nga personat me vështirësi në dëgjim ose në të folur.
Pas marrjes së telefonatës, operatori do të identifikojë llojin e emergjencës dhe vendndodhjen e personit që kërkon ndihmë, për të krijuar më pas lidhjen me shërbimin përkatës. Komunikimi do të ndiqet deri në momentin kur telefonuesi të vendoset në kontakt me organin kompetent.
Në rastet kur një emergjencë kërkon ndërhyrjen e disa institucioneve, sistemi do të mundësojë koordinimin e asistencës mes strukturave shtetërore. Për situatat e emergjencave civile dhe rreziqet që lidhen me fatkeqësitë, aktivizimi dhe koordinimi i strukturave operacionale do të kryhet nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Për menaxhimin e thirrjeve do të ngrihet struktura qendrore e përgjigjes për sigurinë publike (PSAP). Institucionet përgjegjëse për shërbimet kombëtare të emergjencës do të vënë në dispozicion personelin e nevojshëm për funksionimin e saj.
Vendimi parashikon gjithashtu regjistrimin e çdo telefonate dhe ruajtjen e saj në një bazë të dhënash, për t’u përdorur si referencë dhe për t’u vënë në dispozicion të organeve ligjzbatuese kur kërkohet.
Shpenzimet për ngritjen dhe funksionimin e sistemit do të përballohen nga buxheti i miratuar për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në kuadër të financimit nga qeveria italiane të iniciativës “Mbështetje për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri”.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen institucionet përgjegjëse për mbrojtjen civile, komunikimet elektronike, shëndetësinë dhe punët e brendshme, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, institucionet e shërbimeve kombëtare të emergjencës dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
#112 #Emergjencat #MbrojtjaCivile #Shqipëria #SiguriaPublike


