OKB paralajmëron për përhapjen e krizës ushqimore globale: Konfliktet dhe kriza klimatike kërcënojnë 16 vende të botës

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) dhe Programi Botëror i Ushqimit (WFP) kanë paralajmëruar se kriza globale e urisë pritet të përkeqësohet ndjeshëm gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, duke kërcënuar miliona njerëz në disa nga rajonet më të prekura të botës.
Në raportin e fundit të përbashkët, që mbulon periudhën dhjetor 2026 – maj 2027, dy agjencitë e OKB-së identifikojnë 16 zona kritike ku pasiguria ushqimore po përshkallëzohet. Vendet që paraqesin rrezikun më të lartë janë Sudani, Sudani i Jugut, Somalia, veriu i Nigerisë dhe Jemeni.
Sipas raportit, konfliktet e armatosura, dhuna, zhvendosjet e popullsisë, vështirësitë ekonomike dhe fenomenet ekstreme të motit mbeten faktorët kryesorë që po nxisin përhapjen e urisë.
Numri i vendeve dhe rajoneve të konsideruara si “vatra të urisë” është rritur në 16, nga 13 që ishin në raportin e mëparshëm. Në listë janë shtuar Çadi, Uganda dhe disa pjesë të Afrikës Jugore e Amerikës Qendrore.
FAO dhe WFP paralajmërojnë gjithashtu se ulja e financimeve për ndihmën humanitare po vështirëson përpjekjet për të parandaluar një krizë edhe më të rëndë. Sipas të dhënave të raportit, mbështetja për vendet që përballen me rrezikun më të lartë të urisë ka rënë ndjeshëm vitet e fundit.
Një tjetër shqetësim i madh është fenomeni klimatik El Niño, i cili pritet të shkaktojë thatësira të zgjatura dhe temperatura rekord në Afrikën Jugore dhe pjesë të Amerikës Qendrore, ndërsa në rajone të tjera mund të sjellë përmbytje shkatërruese.
Raporti veçon Sudanin si një nga vendet më të rrezikuara, ku luftimet e vazhdueshme po pengojnë prodhimin e ushqimit, funksionimin e tregjeve dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare. Rreziqe të larta evidentohen edhe në Somali dhe Sudanin e Jugut, ku dhuna dhe zhvendosjet masive të popullsisë po e rëndojnë më tej situatën.
Ndër zonat që vijojnë të mbeten burim shqetësimi të madh janë gjithashtu Afganistani, Haiti, Republika Demokratike e Kongos dhe Rripi i Gazës.
Megjithëse situata e sigurisë ushqimore në Gaza ka shënuar një përmirësim krahasuar me periudhat e mëparshme, agjencitë e OKB-së theksojnë se kushtet humanitare mbeten ende të brishta dhe të paqëndrueshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



