Në Capellen të Luksemburgut, aty ku Agjencia e Mbështetjes dhe Prokurimit e NATO-s (NSPA) menaxhon logjistikën e Aleancës, rregullat e garës janë po aq të ngurta sa betoni i pistave ushtarake.
Kur NSPA-ja hapi tenderin ndërkombëtar për ndërtimin e Bazës Ajrore të Kuçovës — investimin më strategjik të NATO-s në Ballkanin Perëndimor — në garë hynë konsorciume të fuqishme, përfshirë kompani nga Gjermania, Franca dhe Italia.
Pas skanimit të ofertave teknike dhe financiare, Aleanca shpalli fituese kompaninë shqiptare “Salillari sh.p.k.” për ndërtimin e bazës. Por as vulat e Luksemburgut dhe as traktatet e ratifikuara nga Kuvendi nuk rezultuan imune ndaj kapriçove të burokracisë së Tiranës.
Arkitektura ligjore e projektit të bazës ishte betonuar që në vitin 2020, me ratifikimin e Marrëveshjes Teknike me NSPA-në nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas Kushtetutës shqiptare, kjo marrëveshje gëzon epërsi të drejtpërdrejtë mbi legjislacionin e brendshëm, ndërsa Neni 5.1.10 i saj përjashton nga TVSH-ja, akcizat dhe detyrimet doganore çdo mall të përdorur për ngritjen e bazës.
Mbi bazën e këtij kuadri ligjor, në gusht të vitit 2022, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave lëshoi autorizimin përkatës për llogari të NSPA-së me zbatues kompaninë “Salillari”. Me këtë autorizim, përgjatë vitit 2023 u kryen plot 28 praktika zhdoganimi, duke përfshirë edhe rreth 1,326 tonë karburant të përdorur në kantiere.
Të gjitha situacionet e punimeve u pranuan dhe u shlyen rregullisht nga NATO derisa baza u inaugurua në mars të vitit 2024. Por, në Shqipëri nuk është e sigurtë as organizata më e sigurtë e botës.
Kur burokracia rishkruan traktatet
Për tre vjet Dogana miratoi plotësisht çdo situacion dhe praktikë zhdoganimi. Praktikat u mbyllën, pista u shtrua dhe avionët e Aleancës u ulën në Kuçovë pa asnjë vërejtje fiskale. Por në shkurt të vitit 2026, dy vjet pasi baza kishte përfunduar, gjithçka u kthye përmbys në mënyrë të çuditshme.
Pas një verifikimi të Departamentit Teknik, Dega e Doganës Durrës hartoi më 17 shkurt Procesverbalin nr. 2650. Pretendimi ishte sa formalist, aq edhe absurd: kompania nuk kishte bërë një “kërkesë specifike” për naftën nën autorizimin e vitit 2022.
Të gjendur përballë kësaj çudie të padëgjuar në asnjë vend tjetër, reagimi i institucioneve ushtarake dhe aleate ishte i menjëhershëm dhe i prerë. Më 23 shkurt 2026, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Komanda e Forcës Ajrore konfirmuan zyrtarisht se përjashtimi fiskal mbulon çdo material të projektit, përfshirë shprehimisht naftën.
Katër ditë më vonë, më 27 shkurt, vetë NSPA-ja i kujtoi Tiranës se karburanti i bazës është i pataksueshëm, duke paralajmëruar se Aleanca pret respektimin e plotë të marrëveshjes.
Kapitali ka arritur të lexojë të plotë shkresën e NATO-s, përmes një burimi konfidencial në ministrinë e Financave. Në dokumentin e firmosur nga Petr Dubsky, zyrtari i lartë i prokurimit në NATO, Aleanca i kërkon shprehimisht doganës të tërhiqet nga taksimi i naftës. Por, pavarësisht kërkesës eksplicite nga selia e Aleancës, arbitrariteti në Durrës vazhdoi.
Edhe pse në një komunikim të brendshëm të datës 4 mars 2026 vetë zyrtarët e Sektorit të Porto Romanos pranonin shkresat e NATO-s e ushtrisë dhe shkruanin se ishin “në pritje të ndryshimeve në Autorizimin respektiv” nga Drejtoria e Përgjithshme për të saktësuar kodin e naftës, vendimi përfundimtar shkoi në drejtim të kundërt.
Më 20 prill 2026, Dega e Doganës Durrës firmosi Vendimin nr. 626, duke e ngarkuar kompaninë me një faturë totale prej 468 milionë lekësh — 156 milionë lekë detyrime dhe 312 milionë lekë gjobë të dyfishtë — ndërkohë që dokumentet rrodhën në media me etiketën e “evazionit fiskal”.
Kostoja e paparashikueshmërisë
Për një vëzhgues të ekonomisë institucionale, ky zinxhir kontradiktash tregon se motivi nuk lidhet me arkën e shtetit. Të hedhësh poshtë një marrëveshje ndërkombëtare të miratuar në Kuvend dhe një kërkesë eksplicite të NATO-s mund të jetë gjithçka tjetër, përveçse interes shtetëror.
Për aleatët perëndimorë dhe tregjet ndërkombëtare, dilema mes korrupsionit aktiv dhe kaosit administrativ është thjesht akademike; por pasoja gjithmonë identike.
Kur një investim strategjik i NATO-s, i fituar në garë të hapur ndërkombëtare dhe i autorizuar nga vetë shteti në vitin 2022, gjobitet në vitin 2026 me 5 milionë euro për një formalitet burokratik dhe linçohet në media, sinjali që u dërgohet investitorëve të huaj është i ftohtë. Në Shqipëri, rreziku rregullator mbetet i lartë, dhe faturat më të kripura shpesh nuk vijnë nga tregu, por nga zyrat e shtetit./Kapitali.al













