“Studentët n’Protestë” distancohen nga partia e re “Të Bashkuar për Shqipërinë”: Nuk jemi pjesë e asnjë force politike

27/11/2026 19:50

Komuniteti “Studentët n’Protestë” ka reaguar pas njoftimit për krijimin e partisë së re politike “Të Bashkuar për Shqipërinë”, duke bërë të qartë se nuk ka asnjë lidhje me këtë iniciativë dhe se nuk përfaqësohet nga asnjë subjekt politik.

Në një qëndrim publik, studentët theksojnë se që prej 31 majit kanë mbështetur protestën dhe kërkesat e saj, duke vlerësuar se fryma e krijuar nga kjo revoltë qytetare i tejkalon ndasitë partiake dhe bindjet individuale.

Ata nënvizojnë se, pavarësisht zhvillimeve të fundit dhe protestës së 13 tetorit, qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar. Sipas tyre, secili është i lirë të ndërmarrë iniciativa politike, por kjo nuk duhet të bëhet në emër të komunitetit “Studentët n’Protestë”.

Reagimi vjen një ditë pasi një grup studentësh, të rinjsh, pedagogësh dhe profesionistësh njoftuan krijimin e forcës së re politike “Të Bashkuar për Shqipërinë”. Nisma synon të mbështetet te drejtësia, meritokracia, transparenca dhe përgjegjshmëria, ndërsa ka nisur edhe mbledhja e firmave për themelimin e partisë.

Top Channel