
Akuza të forta ndaj qeverisë Rama bëri kreu i PD-së Berisha gjatë një takimi me demokratët në Kamëz.
Ai tha se duhet larguar me çdo kusht rreziku ekzistencial që është kryeministri Rama dhe qeverisja e tij socialiste.
“Çështja e parë është largimi me çdo kusht i rrezikut ekzistencial, regjimit të Edi Ramës, dhe pastaj zgjedhjet e lira, shqiptarët të sjellin në pushtet forcën politike që besojnë më shumë, koalicionin që besojnë më shumë, të votojnë kandidatët që u duken më të mirët. Ama kjo kërkon që ne të bashkohemi. U bashkuan armiqtë tanë, serbët u bashkuan ta themi atë që është. U bashkuan paçka se në spektrin e tyre kishte kundërshtarë nga më të papajtueshmit, por vendosën të bashkohen kundër padronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç”, tha Berisha.
Kryedemokrati komentoi buxhetin e vitit 2027 të miratuar bë Kuvend, të cilin e quajti skemë për të vjedhur qytetarët shqiptarë.
“Buxheti i fundit, dhe dalin e kapardisen në mënyrë të shpifur para jush, 10 miliardë euro, e dini çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se nga xhepat e qytetarëve këta marrin 10 miliardë euro.10 miliardë. Po çdo njeri që e ndjen edhe minimumin e përgjegjësisë para atyre që i qeveris, i thotë vetes jo njëherë, por 100 herë, si do t’u kthej unë këtyre më shumë nga kjo shumë. Çfarë do bëj unë, si do i administroj unë këto. Dhe u them unë ju, në mënyrë absolute se ajo skemë që u vendos mbrëmë ishte si t’i vjedh më shumë këta qytetarë”, shtoi ai.
Sipas Berishës, vetëm përmes investimeve, do vidhen minimuni 1.8 miliardë euro nga buxheti i vitit të ardhshëm.
“Më lejoni të jap vetëm një shembull. Kishin caktuar 2.2 miliardë euro investim. Tani, t’u them unë ju, Rruga e Kombit, Rruga e Elbasanit, rruga Levan-Vlorë, rruga Levan-Tepelenë, rruga Tiranë-Elbasan, rruga Korçë-Qafë Plloçë, të gjitha të marra së bashku u garantoj se nuk shkojnë 2.2 miliardë. Jo, më pak. Po çfarë do bëjnë me ta? Do t’i vjedhin në mënyrë absolute jo më pak se 1.8 miliardë. Do të thoni ju si, pse? Se këta vjedhin sipas të gjitha kontrolleve të dokumenteve 90 deri në 100 përqind. Prandaj i ndajnë për investim këta. Ne ndanim për investim 700 milionë, mundet një vit të kemi ndarë 800 milionë. Dhe janë ndërtuar gjithë ato”, përfundoi Berisha.