Vendosni fjalën kyçe....

“Të bashkohemi, PS-ja minorancë” – Berisha


Kreu i PD-së Berisha, përsëriti thirrjen për bashkimin e opozitës kundër qeverisë Rama në zgjedhjet e 9 majit 2027. Gjatë takimit me demokratët ai tha se duhet ngritur fronti opozitar më i gjerë ndërsa akuzoi kryeministrin Rama për shpopullimin e vendit dhe shkatërrimin e ekonomisë.

Berisha krahasoi shpenzimet e administratës, duke pretenduar se në vitet 2012-2013 ato ishin rreth 300 milionë euro, ndërsa sot arrijnë në 960 milionë euro. Berisha kritikoi gjithashtu çmimin e produkteve bazë, duke marrë si shembull qumështin, për të cilin tha se sot shitet deri në 200 lekë për litër. Ai akuzoi qeverinë për përdorimin e administratës dhe burimeve publike për të ndikuar te votuesit. Ai pretendoi se gjatë fushatës janë zhvilluar 4530 aktivitete të paligjshme, janë falur gjoba dhe kamata me vlerë 2.1 miliardë euro dhe janë dhënë përfitime të ndryshme në këmbim të votave.

“Në vitin 2012-2013, administrata ka gjithmonë një kosto për ta mbajtur kudo, për Shqipërinë me 2.9 milionë banorë, administrata e kësaj Shqipërie shpenzonte gjithsej 300 milionë euro. Administrata e sotme e Kipes dhe Edi Ramës shpenzon gjithsej 960 milionë euro. Rrogat u kthyen në më ulëtat në rajon.

Pensionet më të ulëtat, çnjerëzore, nuk mjaftojnë as për kafshatën, as për ilaçet, mezi mjaftojnë për qiratë, dritat dhe ujin. Çmimet në stratosferë. Një litër qumësht në vitin 2012, prodhohej me një kosto 40 lekë, shitej me në çmim 67 lekë. Fermeri fitonte 27 lekë. Por edhe blerësi blinte me një çmim të arsyeshëm. Sot një litër qumësht blihet me 180, 190 apo 200 lekë në një kohë kur rrogat janë më të ulëtat në rajon. Por mbi të gjitha faktori që i ka përzënë shqiptarët nga Shqipëria ka qenë vrasja e shpresës. Zgjedhjet e fundit, ndaj dhe unë e them dhe e ritheksoj, një mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre që votuan opozitën. Zgjedhjet e fundit u zhvilluan në kushtet e një presioni të jashtëzakonshëm. 4530 aktivitete u zhvilluan në mënyrë të paligjshme për të ndikuar te qytetarët për të ndryshuar votën e tyre. 2 miliardë e 100 mijë euro u falën gjoba dhe kamata dy ditëve para zgjedhjeve me impakt në 200 mijë familje dhe 84 mijë biznese. 100 euro për çdo pensionist në mes të fushatës.

Mijëra e mijëra leje legalizimi, certifikata pronësie, leje ndërtimi për vota. 29 mijë hektarë kanabis për vota u firmosën.” – tha Berisha.

Kryedemokrati theksoi se PD-ja është opozita kryesore në vend dhe se të gjithë duhet të bashkohen me qëllimin e vetëm largimin e qeverisë.

“Sot ne jemi opozitë masive. Sot opozita është shtuar me një opozitë të re, e cila ka bërë që në Shqipëri, ajo që quhet mazhorancë të jetë një minorancë, çdo ditë e më e madhe si minorancë. Lëvizja, e quajtur e flamengove, që bashkoi në shesh si kurrë ndonjëherë demokratë, socialistë, të paparti, në dhjetëra mijëra, qindra mijëra qytetarë ishte një goditje shumë e rëndë për regjimin, një damkosje ndërkombëtare e jashtëzakonshme. Revolta studentore ishte shpërthim i një guximi të paparë, shpërthim të atillë guximi rrugët e Tiranës, guximtarë si studentët nuk kishin parë ndonjëherë.

Dhe ja pra ku jemi në një situatë krejt tjetër. Jemi në një situatë në të cilën ka një kushtrim, ka një apel që kjo opozitë, më e madhe se kurrë; kjo opozitë, më luftarake se kurrë; kjo opozitë, më e fuqishme se kurrë, duhet të bashkohet. Bashkimi i saj në të gjithë pluralitetin, në respekt të të gjithë identiteteve të këtyre faktorëve kundër të keqes më të madhe që përbën rrezik ekzistencial për Shqipërinë është sot detyrë e çdo shqiptari që i thotë vetes shqiptar. Është sot detyrë e çdo qytetari që i thotë lirisë liri.

Është sot detyrë e çdo atdhetari që thotë të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo boshatisje e tmerrshme.” – shtoi ai.