Një i ri shqiptar ka humbur jetën gjatë një shkëmbimi zjarri mes tre personave dhe efektivëve të policisë italiane, në zonën e San Pietro di Cavarzere, në provincën e Venecias.
Sipas mediave italiane, agjentët e policisë kishin mbërritur nga rajoni i Kampanias për të ekzekutuar dy urdhër-arreste. Gjatë ndërhyrjes, situata është përshkallëzuar në një përplasje me armë zjarri, ku njëri prej personave që ishte objekt i urdhër-arrestit mbeti i vrarë.
Një person tjetër që ndodhej në banesë u arrestua nga policia, ndërsa i treti, gjithashtu në kërkim dhe i armatosur, arriti të largohej nga vendngjarja.
Ai u fsheh në zonat fushore përreth banesës së izoluar ku tre personat kishin gjetur strehim, duke vënë në lëvizje një operacion të gjerë për kapjen e tij.
Në kërkimet për të arratisurin janë angazhuar forca të shumta policore, si dhe një helikopter, ndërsa autoritetet italiane vijojnë operacionin në zonën përreth.


