“Kam mbetur rrugëve, fle jashtë në shi”, gruaja në Bulqizë: Burri më keqtrajton, policia s’merr masa

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 27.11.2026, 20:20

Një grua në qytetin e Bulqizës pretendon se është nxjerrë nga banesa prej bashkëshortit dhe prej dy ditësh detyrohet të flejë jashtë, në kushte të vështira atmosferike dhe mes shiut.

Në një video të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, gruaja tregon gjendjen në të cilën ndodhet dhe thotë se bashkëshorti e keqtrajton, konsumon alkool dhe shpenzon paratë, ndërsa nuk e lejon të futet në banesë.

“Unë kam ngelur rrugëve, përjashta. Më ka nxjerrë burri përjashta. Unë shkoj përditë te policia, ata nuk më mbrojnë. Çfarë të bëj unë e shkreta?”, dëgjohet të thotë ajo.

E pyetur nëse ka kërkuar ndihmë në polici dhe sa herë është paraqitur, gruaja përgjigjet se ka shkuar pesë herë, por sipas saj, nuk është marrë asnjë masë për ta ndihmuar.

Qytetari që ka dërguar pamjet në redaksi thotë se gruaja qëndron në lagjen “Minatori”, në qytetin e vjetër të Bulqizës, dhe se kjo situatë përsëritet sa herë bashkëshorti i saj dehet. Ai pretendon gjithashtu se ankesat e saj në polici nuk janë marrë parasysh.

Në këto ditë me mot të keq dhe reshje shiu, gruaja vijon të mbetet pa strehë, ndërsa rasti ngre pikëpyetje serioze mbi ndihmën që ajo thotë se ka kërkuar nga autoritetet.

JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Bulqizës dhe institucioneve përgjegjëse të verifikojnë urgjentisht rastin, të dëgjojnë denoncimin e gruas dhe të marrin masat e nevojshme për sigurinë dhe strehimin e saj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit