
Të paktën tetë emigrantë u gjetën të vdekur pasi një varkë që transportonte rreth 100 persona u shpëtua pranë Ishujve Kanarie të Spanjës, njoftoi të premten shërbimi i shpëtimit detar, ndërsa një rritje e numrit të mbërritjeve po mbingarkon autoritetet në rajon.
Vdekjet nxjerrin në pah rreziqet e një prej rrugëve më vdekjeprurëse të migracionit në botë, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës në Spanjë, ku emigracioni është shndërruar në një nga çështjet kryesore të fushatës elektorale.
Shërbimi i shpëtimit bëri të ditur se në bord u gjetën nga 8 deri në 10 trupa të pajetë, ndërsa 6 persona u transportuan me helikopter drejt një spitali, në gjendje të rëndë. Varka, e zbuluar 72 km në jug të ishullit El Hierro, po tërhiqej drejt portit të La Estaca.
Ndërkohë, 84 persona të mbijetuar zbritën nga një tjetër varkë në portin La Restinga të ishullit, ku ndodhen një qendër pritjeje për emigrantët dhe një spital fushor, ku janë trajtuar shumica e varkave me emigrantë që mbërrijnë në ishull, shkruan Reuters.
Mbërritjet e emigrantëve në Ishujt Kanarie janë përshpejtuar që nga muaji tetor, duke arritur një rekord prej 2,100 personash brenda një dite, më 25 nëntor, shumica e të cilëve mbërritën në El Hierro, ishull me një popullsi prej 11,400 banorësh.
“Shumë dhimbje dhe ndjenjë pafuqie përballë kësaj tragjedie të re”, shkroi në një postim në rrjetin X kreu i qeverisë rajonale, Fernando Clavijo, duke kërkuar ndërhyrje nga qeveria spanjolle dhe Komisioni Evropian.
“Emergjenca humanitare nuk fillon në El Hierro, por në brigjet e Senegalit dhe Gambias, ku duhet të veprojmë”, shkroi ai.
Kryeministri Pedro Sanchez është një nga mbështetësit më të zëshëm në Evropë të përfitimeve që emigracioni sjell për ekonominë, ndërsa e djathta, e cila kryeson në sondazhet e opinionit, kërkon kontrolle shumë më të rrepta.
Mijëra emigrantë tentojnë çdo vit të përshkojnë Oqeanin Atlantik me varka të mbipopulluara, duke synuar të arrijnë territorin spanjoll, pavarësisht detit të trazuar dhe rrymave të forta. Mbërritjet zakonisht shtohen gjatë vjeshtës, kur kushtet detare janë përgjithësisht më të favorshme.