Dëshmitë e punonjëseve të Filialit të Postës së Durrësit paraqesin versione të ndryshme për fatin e 69 milionë lekëve të munguara. Në emisionin “Në Shënjestër”, të gazetares Klodiana Lala, u trajtuan dëshmitë e arkëtares Paola Dana, akuzat e ndërsjella mes punonjëseve të Postës së Durrësit, masat e sigurisë të caktuara nga gjykata dhe kalimi i çështjes në kompetencë të SPAK.

Arkëtarja Paola Dana ka deklaruar se shumat që tërhiqeshin nga arka i merrte shefja e Financës, Valbona Duni, ndërsa kjo e fundit ia dorëzonte më pas drejtoreshës Elisabeta Mataj. Dana ka rrëfyer gjithashtu se Mataj i kishte kërkuar të shkruante një deklaratë ku të pohonte se drejtoresha nuk kishte hyrë në zyrën e saj për të marrë para.

Ndërkohë, Gjykata e Durrësit caktoi fillimisht masën “arrest me burg” për Matajn dhe më pas e zëvendësoi me “arrest në shtëpi”. E njëjta masë u vendos edhe për Valbona Dunin dhe Paola Danën. Çështja i është kaluar SPAK, ku dyshohet se në hetim është përfshirë edhe deputetja socialiste Etleva Budini, ish-drejtoreshë e filialit.

Pjesë nga dokumentari:

Dosja Hetimore

Arkëtarja e Filialit znj.Paola Dana dhe Përgjegjësi i Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse znj.Valbona Duni, të pyetura se nga kush janë tërhequr këto vlera të munguara, thanë se ato janë tërhequr rregullisht sipas datave nga Drejtoresha e Filialit Durrës znj. Elisabeta Mataj, fakt ky i papranuar nga kjo e fundit.

E pyetur nga Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Krimit Ekonomik, Paola Dana, tha se që nga muaji Prill 2026, drejtoresha Elisabeta Mataj, ka dhënë urdhëra gojarisht në lidhje me shpërndarjet e lekëve në filialet e Shijakut dhe Krujës.

Urdhëra sipas të cilave transporti i parave në këto dy filiale të bëhej pa shoqërimin fizik të kompanisë së sigurisë.

Paola Dana

Më pas këto shuma parash pasi tërhiqeshin nga bankat për efekte ndihme sociale dhe pensionesh dhe pasi arkëtoheshin te unë, i merrte shefja e financës shtetasja Valbona Duni, e cila i çonte në zyrën e saj.

Valbona Duni nuk e di më pas se kujt ia dorëzonte këto lekë por mua më sillte mandatin e firmosur nga drejtoresha Elizabeta Mataj dhe punonjësja që e merrte në dorëzim këtë shumë në Shijak dhe në Krujë.

Më pas këto mandate që mi sillnin mua, unë ia bashkëngjitja dokumentave të mia në arkën ditore.

Kjo situatë kur këto shuma monetare kanë ikur pa u shoqëruar nga Security, ka vazhduar disa herë, por me saktësi nuk më kujtohet në këtë periudhë Prill – Qershor 2026.

Paola Dana tha më tej se ajo ishte bërë dëshmitare e një debati të madh midis shefes së Financës, Valbona Duni dhe Drejtoreshës së këtij filiali, Elisabeta Mataj.

Ndërkohë Elisabeta Mataj i kishte kërkuar që të firmoste një deklaratë që ajo nuk kishte hyrë dhe nuk kishte marrë nga arka, thesë me para.

Paola Dana

‘Me datë 9 Korik 2026, kam marrë vesh që filialet e Krujës dhe të Shijakut, nuk kanë marrë vlerat monetare të caktuara që janë nxjerrë nga ana jonë.

Po atë ditë kam dëgjuar që është bërë një debat i madh, mes shefes së Financës Valbona Duni dhe drejtoreshës Elisabeta Mataj, por saktësisht nuk kam dëgjuar se çfarë kanë thënë pasi kanë qenë në zyrat e tyre…. Shefes së Financës Valbonës i kam shkuar tek zyra dhe i kam thënë se ku janë vlerat monetare, pasi me dokumenta i kam që janë nxjerrë nga arka.

Ajo më ka thënë që i ka marrë drejtoresha Elisabeta për t’i çuar dhe le ta mbajë ajo përgjegjësinë’.

Arkëtarja Paola Dana rrëfeu më tej përpara oficerit të policisë gjyqësore se pas kësaj dite nuk e kishte takuar më shefen e Financës Valbona Duni.

Ndërsa drejtoresha e kishte thërritur në zyrën e saj në prani edhe të shefit të sigurisë së Postës, Minir Kodra.

Paola Dana

‘Drejtoresha Elisabeta Mataj më pyeti ‘A kam dalë ndonjëherë unë me thes nga zyra jote? Më ke dhënë gjë ti mua’ dhe më pas më kërkoi që të jap një deklaratë me shkrimin tim, në të cilën unë kam shkruar që ‘drejtoresha nuk ka hyrë në zyrën time, për të marrë vlera monetare nga arka’’.

Paola Dana tha se deklaratën e kishte shkruajtur pasi ia kishte kërkuar drejtoresha Elisabeta Mataj.

E cila nga ana e saj i kishte thënë që do hapen kamerat e sigurisë dhe është e qartë që nuk kam qenë ajo që ka marrë lekët aty, por ka qenë shefja e Financës Valbona Duni…..

Paola Dana

‘Mandati me vlerën përkatëse printohej nga sistemi ‘Eterna financiare’ dhe më pas firmosej nga shefja e financës, drejtoresha, unë dhe personi marrës. Leku së bashku me mandatin, nxirrej nga arka dhe më pas tek unë vinte mandati i firmosur dhe nga marrësi, ose brenda ditës ose ditën e nesërme….’.

Por pavarësisht pretendimit të secilës palë Gjykata e Shkallës së Parë Durrës vendosi fillimisht masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ ndaj personit nën hetim Elisabeta Mataj.

Masë e cila më pas u zevëndësua me atë arrest në shtëpi, për shkak se Mataj rezulton nënë e 6 fëmijëve, ku fëmija më i vogël edhe 4 vjeç.

Masë sigurie arrest në shtëpi edhe për ish-shefen e Financës, Valbona Duni dhe arkëtaren, Paola Dana.

Por së fundmi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës shpalli moskompetencën për gjykimin e çështjes, duke ia kaluar atë SPAK.

Prokuoria e Posaçme që tashmë ka çelur një procedim penal, ku dyshohet se e përfshirë është edhe Etleva Budini, deputete në Kuvendin e Shqipërisë.

E cila para se të ulej në ulësen e deputetes, ishte Drejtoreshë e Filialit të Postës Durrës, duke ia lënë më pas këtë post Elisabeta Mataj, që më herët mbante karrigen e anëtares e Këshillit Bashkiak të Partisë Socialiste në Durrës si dhe bënte pjesë në Bordin Drejtues të Autoritetit Portual shqiptar.

Ku tashmë ka dyshime se paratë e destinuara për pensionet në Krujë dhe Shijak, për të cilat akuzohet Elisabeta Mataj, mund të jenë përvetësuar nga një grup i strukturuar kriminal.

Ndërkohë që shumë e vjedhur sipas një auditi të kryer që tashmë i është dorëzuar SPAK, rezulton se është në miliona euro.

Ku dyshohet se zhvatja e parave ka nisur prej të paktën 6 vitesh dhe prokuroria e Durrësit thotë se brenda filialit të Postës ka vepruar një grup kriminal.

Ndërsa vihet theksi te hetimi i rolit të Etleva Budinit, deputetes socialiste mga qarku Durrës.

Hetimi i SPAK shumë shpejt mund të përfshijë edhe shumë persona të tjerë të lidhur me këtë grabitje që në qendër ka Filialin e Postës së Durrësit.

Skandali ka gjasë të jetë i shtrirë edhe në filialet e tjera dhe ka dyshime të ketë bashkëpunëtorë edhe brenda Postës Qendrore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: