Elda Ibro, pronarja e kompanisë “Micro Credit Albania”, është liruar nga masa e arrestit në shtëpi, ndërsa dosja e mikrokredive vijon të zvarritet në Gjykatën e Posaçme. Në të njëjtën kohë, sipas pretendimeve të viktimave të kësaj afere, administratori i kompanisë, Andis Gjoka, është larguar prej kohësh nga Shqipëria dhe ndodhet në Angli, ndërsa Arben Meskuti kërkon pafajësi.
Seanca e radhës në GJKKO për gjykimin e të pandehurve të dosjes së mikrokredive është shtyrë sërish, për shkak të mungesës së avokatëve dhe disa prej të pandehurve. Megjithatë, gjatë seancës është marrë një vendim lidhur me masën e sigurisë për Elda Ibron. Gjyqtarja Flojera Davidhi ka vendosur t’i heqë asaj masën e arrestit në shtëpi, me argumentin se afatet e paraburgimit janë shuar.
Elda Ibro është bashkëshortja e të ndjerit Olsi Ibro dhe pronare e “Micro Credit Albania”. Ajo përfaqësohet nga avokati Ardian Kalija, i cili është gjithashtu avokat i Belinda Ballukut.
Me lirimin e Elda Ibros nga arresti në shtëpi, si dhe daljen më herët nga qelitë të Arben Meskutit dhe Aldo Dakës, të cilët kishin qëndruar 22 muaj në paraburgim, tashmë të gjithë të pandehurit e kësaj dosjeje janë pa masa sigurie personale.
Ndërkohë, shqetësimi më i madh i viktimave lidhet me faktin se një pjesë e personave të akuzuar dyshohet se janë larguar jashtë vendit. Fiqiri Bruçi, një prej qytetarëve që ka denoncuar publikisht rastin e tij tre vite më parë, ka ngritur pretendime ndaj SPAK për largimin e Andis Gjokës nga Shqipëria.
Sipas Bruçit, administratori i “Micro Credit Albania” ndodhet prej kohësh në Angli, ku merret me biznes. Ai ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si është lejuar largimi i tij nga vendi.
Një tjetër viktimë e skemës së mikrokredive ka pretenduar në sallën e gjyqit se edhe Albert Gega është larguar drejt Gjermanisë. Ndërsa për të pandehurit e tjerë, qytetarët shprehen se ata vijojnë të gëzojnë lirinë dhe të bëjnë pushime gjatë fundjavave të gjata.
Viktimat e kësaj afere shprehin pakënaqësi për mënyrën se si po trajtohet çështja nga SPAK, duke pretenduar se hetimet janë zgjatur pa rezultate konkrete dhe se kjo u ka dhënë të pandehurve kohë për të sistemuar dokumentacionin dhe për të vijuar jetën jashtë çdo kufizimi.
Edhe qëndrimi i prokurorisë pas dy vitesh hetime është shoqëruar me kritika nga qytetarët e dëmtuar financiarisht.
“Si mund të hetohen mijëra mashtrime nga një prokuror dhe hetues i vetëm?”, ka pretenduar një prej viktimave, me inicialet L.H.
I njëjti qytetar ka ngritur edhe një tjetër shqetësim lidhur me qëndrimin e Arben Meskutit në procesin gjyqësor.
“Kam lexuar nëpër dokumentet e tyre se Arben Meskuti na akuzon ne që jemi viktima dhe kërkon pafajësi”, është shprehur ai.
Dosja e mikrokredive u dërgua për gjykim nga SPAK në fund të vitit 2025, në ngarkim të 16 individëve dhe katër kompanive, të dyshuara për mashtrime me pasoja të rënda përmes skemave të mikrokredisë dhe mbledhjes së detyrimeve financiare.
Sipas hetimeve të prokurorit Edvin Kondili, dyshohet se përmes skemës së rifinancimit të kredive të këqija dhe metodave të shantazhit janë përfituar në mënyrë të paligjshme të paktën 36.8 milionë euro dhe janë marrë 1700 prona të paluajtshme nga mijëra qytetarë.
Për plotësimin e hetimeve, GJKKO i kishte caktuar prokurorit një afat pesëmujor.
Në këtë dosje janë marrë të pandehur:
- Elda Bukurosh Ibro
- Arben Yllka Meskuti
- Alban Thoma Kote
- Aldo Piro Daka
- Albert Tholloraq Gega
- Andis Sefedin Gjoka
- Vasil Jani Bakallbashi
- Yliana Ahmet Selfo
- Indrit Çuberi
- Rigels Gezim Bejko
- Altin Vladimir Vako
- Helidon Engjell Xhindi
- Fatos Bektash Alimadhi
- Lefter Ramo Canaj
- Roland Deda
- Endri Flamur Myftari
Ndërsa kompanitë e përfshira në proces janë “Micro Credit Albania” sh.p.k., “ADCA” sh.p.k., “Final” sh.p.k. dhe “Zyra e Përmbarimit Privat TDR Group” sh.p.k.
Çështja ndodhet ende në fazën paraprake në GJKKO. Pavarësisht se SPAK ka thirrur në gjykim të pandehurit dhe viktimat, prej dy vitesh palët nuk kanë arritur ende të përballen në një proces gjyqësor që synon të zbardhë përgjegjësitë për dëmin e shkaktuar.
Ndërsa seancat vijojnë të shtyhen dhe masat e sigurisë janë shuar, mijëra qytetarë të dëmtuar presin ende zbardhjen e plotë të një prej dosjeve më të mëdha financiare të viteve të fundit në Shqipëri.


