“Studentët n’Protestë” distancohen nga partia e re: Nuk jemi pjesë e asnjë force politike

Politikë

Publikuar: 27/11/2026

“Studentët n’Protestë” distancohen nga partia e re: Nuk jemi pjesë e asnjë force politike

Grupimi “Studentët n’Protestë” ka reaguar pas njoftimit për krijimin e partisë së re politike “Të Bashkuar për Shqipërinë”, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me këtë iniciativë dhe se nuk përfaqësohet nga asnjë subjekt politik.

Ata theksojnë se qëndrimi i tyre ka qenë dhe vijon të jetë në mbështetje të protestës dhe kërkesave të saj, të cilat sipas tyre mbeten një revoltë qytetare që tejkalon ndasitë partiake dhe bindjet individuale.

Reagimi vjen një ditë pasi një grup studentësh, të rinjsh, pedagogësh dhe profesionistësh njoftuan krijimin e forcës së re politike “Të Bashkuar për Shqipërinë”.

Deklarata e plotë:

Studentët n’Protestë, si një komunitet studentësh i krijuar në protestë, deklaron se nuk është pjesë e asnjë partie politike!

Nga 31 maji, e deri sot, ne, Studentët n’Protestë, kemi qenë në mbështetje të protestës dhe kërkesave të saj. Kemi besuar se fryma e krijuar nga kjo revoltë qytetare, tejkalon partitë politike dhe bindjet personale, duke përfshirë një pjesë të madhe të shoqërisë.

Edhe sot, pas 13 tetorit, kur studentët dolën masivisht, vazhdojmë të mbajmë të njëjtin qëndrim.

Ne nuk kemi formuar parti politike e as nuk jemi mbështetës të ndonjërës prej tyre. Vlerësojmë se gjithësecili është i lirë të marrë një iniciativë politike, por ne bëjmë të qartë se ky veprim nuk është në emrin tonë.