Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë së cilës i ka përcjellë shqetësimin e Romës për operacionin ushtarak të Ukrainës në portin e Bengazit në Libi.
Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme italiane, Meloni e cilësoi operacionin si shkelje të sovranitetit libian, duke paralajmëruar se veprime të tilla rrezikojnë të zgjerojnë konfliktin përtej kufijve të Ukrainës dhe të cenojnë sigurinë në Mesdhe.
Gjatë bisedës, ajo riafirmoi mbështetjen e Italisë për Ukrainën dhe përpjekjet për një paqe të drejtë e të qëndrueshme, por theksoi se kjo nuk nënkupton pranimin e veprimeve që rrezikojnë sigurinë e Italisë dhe rajonit.
Nga ana e tij, Zelensky pranoi se operacioni ishte kryer pa koordinim paraprak me partnerët. Ai u shpreh se i kuptonte shqetësimet e Romës dhe u zotua të ruante komunikimin e drejtpërdrejtë me qeverinë italiane.
Edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, kishte kritikuar më herët sulmet ukrainase ndaj dy anijeve ruse në ujërat libiane. Në një intervistë për gazetën “Corriere della Sera”, më 25 nëntor, ai deklaroi se Italia nuk ishte informuar paraprakisht dhe se sulmet brenda ujërave territoriale të Libisë, madje edhe në një port, përbënin gabim.
“Ishte gabim të shkelej sovraniteti kombëtar i Libisë”, deklaroi Tajani, duke shtuar se kishte komunikuar edhe me homologun ukrainas, Andriy Sibiha, për t'i përcjellë shqetësimet e qeverisë italiane.
Reagime pati edhe nga Gjermania dhe Turqia. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, riafirmoi mbështetjen për të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje, por paralajmëroi kundër zgjerimit të konfliktit në territore të tjera.
“E drejta e Ukrainës për mbrojtje legjitime është e padiskutueshme dhe ne e mbështesim Ukrainën, por paralajmëroj fuqimisht kundër lejimit të zgjerimit gjeografik të kësaj lufte”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Turqia i cilësoi sulmet si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke kërkuar që anijet tregtare të mos bëhen objektiv i operacioneve ushtarake.
Nga ana tjetër, Kievi i ka justifikuar sulmet ndaj anijeve ruse si pjesë të së drejtës së tij për vetëmbrojtje kundër Moskës.
Zhvillimet në Libi kanë nxjerrë në pah shqetësimet e disa aleatëve evropianë të Ukrainës për rrezikun që lufta të shtrihet përtej territorit ukrainas dhe të ndikojë në sigurinë e rajonit të Mesdheut.







Komente
Komento