Dy dyqane që tregtojnë karta dhe produkte Pokémon në Los Angeles janë grabitur brenda më pak se dy orësh, ndërsa autorët kanë marrë mallra me vlerë rreth 30 mijë dollarë. Në njërën prej ngjarjeve policia arriti të arrestojë dy të dyshuar, ndërsa për grabitjen tjetër autorët janë ende në kërkim.
Grabitja e parë ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit në dyqanin “Gary’s Pokémart”, në Woodland Hills. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë tre persona që thyejnë derën e përparme prej xhami dhe futen me shpejtësi në ambientet e biznesit, duke marrë një sasi të konsiderueshme produktesh.
Mes artikujve të vjedhur raportohet se kishte karta të rralla, produkte të vulosura, kuti koleksioni, pako përforcuese dhe artikuj të tjerë të serisë Pokémon. Pas ngjarjes, pronari i dyqanit ofroi një shpërblim prej 20 mijë dollarësh për këdo që jep informacion që mund të ndihmojë në identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Vetëm rreth 40 minuta më vonë, në orën 05:40, një tjetër dyqan Pokémon, “PokeMall TCG”, në South Robertson Boulevard, u bë objekt i një grabitjeje të ngjashme. Dy persona thyen derën prej xhami për të hyrë në biznes, por këtë herë policia ndërhyri në kohë.
Oficerët arrestuan njërin prej të dyshuarve në vendngjarje, ndërsa personi i dytë u kap rreth një bllok më tutje.
Sipas raportimeve, kjo është hera e tretë që “PokeMall TCG” bëhet shënjestër e grabitësve gjatë gjashtë muajve të fundit. Në fund të qershorit, tre persona kishin vjedhur karta me vlerë afro 10 mijë dollarë brenda më pak se një minute. Një tjetër incident ishte regjistruar edhe në maj, kur dy persona u filmuan duke marrë produkte nga dyqani.
Ndërkohë, autorët e grabitjes së parë u larguan me një automjet Mercedes ngjyrë argjendi, përpara mbërritjes së policisë. Hetimet për të dyja ngjarjet vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë në grabitjen e “Gary’s Pokémart”.


