Partizani triumfoi me rezultatin 4-1 ndaj Dinamos në javën e 13-të të Superiores, duke siguruar tri pikë me rëndësi të veçantë. Një nga protagonistët kryesorë ishte Altin Aliu, i cili fillimisht gaboi nga pika e bardhë, por më pas realizoi një eurogol. Pas ndeshjes, sulmuesi i të kuqve foli për paraqitjen e tij dhe fitoren e skuadrës.
“Ky është futbolli. Mund të humbasësh një penallti, por më pas të reagosh duke bërë diçka tjetër të mirë”, u shpreh Aliu.
Të lidhura
None found
I pyetur nëse ishte më i kënaqur për golin personal apo për rikthimin e Partizanit te fitorja, ai tha: “Goli më ndihmoi mua, por edhe Partizanin. Pikët erdhën në një moment shumë delikat dhe mund të jenë një pikë kthese për ne. Me trajnerin Karoglan na është rikthyer besimi”.
Sa i përket shifrës personale, Aliu theksoi se katër golat e shënuar deri tani nuk janë në nivelin që pret: “Për mendimin tim, janë pak. Edhe dëmtimi më la disi pas me golat”.
Sulmuesi shpjegoi edhe zëvendësimin e tij pas minutës së 60-të: “E diskutova me trajnerin e fitnesit. Ndjeva diçka dhe nuk doja të rrezikoja, ndaj dola nga loja”.
Për konkurrencën brenda skuadrës, Aliu u shpreh: “Është diçka normale, pasi konkurrenca sjell rezultate. Ne provuam të luanim me kundërsulme dhe besoj se ia dolëm të merrnim rezultatin me këtë mënyrë loje”.
Aliu pranoi se duhet të punojë më shumë te finalizimi: “Duhet të jem më cinik dhe më i qetë përpara portës. Ndoshta kjo është ajo që më mungon. Dëmtimi më ka lënë pak pas edhe fizikisht”.
Duke folur për mënyrën se si e përballoi humbjen e penalltisë, sulmuesi tregoi se mori mbështetje nga shokët e skuadrës: “Më ndihmoi edhe ekipi. Çunat më thanë të shënoja dhe unë realizova atë eurogol”.






