Pas rreth 11 orësh përfundoi autopsia e Gianni De Gennaro, ish-prefektit dhe ish-drejtuesit të Policisë italiane, i cili u gjet i vdekur të shtunën, më 21 nëntor, në një godinë ndihmëse pranë vilës së tij në zonën e Grossetos.
Procedura u zhvillua në Institutin e Mjekësisë Ligjore pranë spitalit Careggi, në Firence, ku ekspertët nisën punën rreth orës 08:00. Ekzaminimi u krye në kuadër të hetimit të Prokurorisë së Grossetos, e cila ka hapur një procedim për veprën penale të nxitjes drejt vetëvrasjes, aktualisht ndaj personave ende të paidentifikuar.
Të lidhura
None found
Qëllimi i ekspertizës ishte të ndihmonte në zbardhjen e rrethanave të vdekjes së ish-zyrtarit të lartë, përfshirë përcaktimin sa më të saktë të kohës kur ai kishte ndërruar jetë.
Në të dhënat paraprake të publikuara nga Prokuroria e Grossetos thuhet se në trup nuk u konstatuan dëmtime që të sugjeronin përfshirjen e personave të tjerë.
“Mjekët ligjorë, të cilëve Prokuroria e Republikës së Grossetos u ka besuar ekspertizën, kanë përjashtuar, nga ekzaminimet paraprake të kryera, praninë e shenjave të dëmtimeve në trup që mund t’u atribuohen personave të tretë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Hipoteza e parë e hetuesve është se De Gennaro i ka marrë jetën vetes duke qëlluar me armë zjarri në kokë, gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës.
Autopsia u urdhërua nga prokurorët e Grossetos dhe u zhvillua nën drejtimin e prokurores Maria Navarro. Ekspertët e angazhuar për këtë proces ishin mjekët ligjorë Beatrice De Fraia dhe Andrea Paterna, ndërsa krahas ekzaminimit post-mortem u kërkuan edhe analiza të detajuara toksikologjike.
Gjatë procedurave, familja e të ndjerit u përfaqësua nga konsulenti i saj, profesori Marco Di Paolo, nga Universiteti i Pizës.
Për të shmangur praninë e gazetarëve, një pjesë e pavijonit të Mjekësisë Ligjore në spitalin Careggi u izolua gjatë zhvillimit të autopsisë.
Pas mbylljes së ekzaminimit nisën formalitetet për t’ua dorëzuar trupin familjarëve dhe për përgatitjen e arkivolit. Rreth orës 19:00, arkivoli u nxor nga spitali Careggi dhe u nis drejt Romës.
Të nesërmen, nga ora 09:00 deri në 17:00, ai do të qëndrojë në kapelën e Shkollës së Lartë të Policisë, në rrugën Pier della Francesca në Romë. Gjatë kësaj kohe, qytetarët dhe ish-kolegët e De Gennaros do të kenë mundësi t’i japin lamtumirën e fundit.
Ceremonia mortore do të zhvillohet të hënën, më 30 nëntor, në orën 12:00, në Bazilikën e Santa Maria degli Angeli në Romë. Në homazhe pritet të jetë i pranishëm edhe presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella.








