Në një reagim publik, Ministria ka thënë se ndalimi i punimeve nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me, siç e ka cilësuar, ndërhyrjet e paautorizuara të Komunës së Prishtinës në objektin e saj.

Sipas Ministrisë, Komuna kishte dhënë pëlqim për realizimin e projektit më 28 shtator 2026, përmes Drejtorisë së Shërbimeve Publike, ndonëse objekti ku po planifikohej vendosja e muralit nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të Komunës.

Ministria pretendon se ky pëlqim ishte i kundërligjshëm dhe nuk ishte nënshkruar nga drejtori i kësaj drejtorie. Po ashtu, ka thënë se për ndërhyrjen nuk ishte konsultuar dhe as njoftuar paraprakisht nga Komuna.

Rama: Policia pengoi vendosjen e muralit të Nënës Terezë në shesh

Ministria ka përmendur edhe ndërhyrjen e 20 nëntorit, kur, sipas saj, përfaqësues të Komunës, përmes një kontraktori privat, kishin nisur punimet pa vendosur masa mbrojtëse, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve dhe duke shkaktuar dëme materiale.

Ajo ka bërë të ditur se, pavarësisht vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve, përfaqësues të Komunës janë paraqitur sërish të premten, më 27 nëntor, në orën 06:00, me makineri ngritëse për të vazhduar punimet.

Pas njoftimit nga Ministria, Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhe i ka ndaluar ato.

“Ministria e Ekonomisë konsideron të papranueshme ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme dhe të kundërligjshme nga Komuna e Prishtinës, veçanërisht përkundër vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve”, thuhet në reagim.

Ndërkaq, lidhur me pretendimet për kundërshtim të muralit, Ministria ka theksuar se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kundërshtim ndaj realizimit të veprës artistike kushtuar Nënës Terezë.

“Çështja në fjalë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve nga Komuna e Prishtinës përmes kontraktuesve, mungesën e komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, dëmin e shkaktuar ndaj institucioneve shtetërore, si dhe respektimin e vendimeve të organeve kompetente”, thuhet në reagim.

Në fund, Ministria i ka kërkuar Komunës së Prishtinës që të respektojë vendimin e Prokurorisë deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjen e vendimit përfundimtar gjyqësor.