Spitalet private hyjnë për herë të parë në listën e fitimeve

Në vendet e zhvilluara, spitalet private zakonisht arrijnë pikën e mbulimit të kostove (“break-even”) brenda tre deri në pesë vjetësh nga nisja e aktivitetit.
Në Shqipëri, ky cikël është zgjatur deri në gati dy dekada, gjatë të cilave shumë prej spitaleve kryesore kanë raportuar humbje ose fitime minimale.
Sipas përfaqësuesve të sektorit, faktorët kryesorë janë kostot e larta operative, investimet e vazhdueshme në teknologji dhe aparatura, si dhe shpenzimet e konsiderueshme për personelin mjekësor. Materialet mjekësore janë thuajse tërësisht të importuara, ndërsa pagat e mjekëve janë rritur edhe për të frenuar largimin e tyre jashtë vendit.
Nga ana tjetër, fuqia e ulët paguese e popullsisë kufizon mundësinë e rritjes së çmimeve për të mbuluar këto kosto.
Ndryshe nga tregjet e zhvilluara, ku sigurimet shëndetësore dhe skemat publike të rimbursimit mbulojnë një pjesë të madhe të faturave, në Shqipëri pacientët i paguajnë kryesisht vetë shërbimet private. Kërkesa ndikohet gjithashtu nga emigracioni, rënia e lindjeve, cilësia e shërbimeve publike dhe listat e pritjes.
Pas një periudhe të gjatë me humbje ose fitime minimale, operatorët kryesorë po raportojnë rezultate pozitive, ndonëse kthimi i investimeve të kryera ndër vite ka kërkuar një periudhë shumë më të gjatë.

Burimi: INSTAT
“Hygeia”, një investim me kapital grek, prej rreth 60 milionë eurosh, që u nxit nga shpenzimet e mëdha të shqiptarëve në Greqi për t’u kuruar, i hapur në vitin 2007, rezultoi në mënyrë të përhershme me humbje.
Spitali u shit në vitin 2018 tek “American Hospital” për vetëm 1 milion euro, ndërsa blerësi mori përsipër detyrimet e “Hygeia Hospital Tirana” (që u riemërtua në “International Hospital”), që arritën në atë kohë në 29.5 milionë euro në total.
Pasi operoi për disa vite si e ndarë, në shtator 2024, “American Hospital”, i krijuar në vitin 2006, përthithi “International Hospital”, në mënyrë që të përmirësonte performancën e përgjithshme financiare dhe sinergjitë operacionale. “International Hospital” e mbylli rrugëtimin me një fitim modest, që e arriti vetëm në vitin 2023.
Pas lëvizjeve të viteve të fundit, kur dy spitalet më të mëdha u bashkuan, biznesi i spitaleve private po rezulton fitimprurës.
“American Hospital” deklaroi për herë të parë fitime në vitin 2024, prej 170 milionë lekësh, në vitin e parë kur dy spitalet operuan për disa muaj si një i vetëm. Në 2025-n, fitimet u rritën ndjeshëm në 672 milionë lekë, duke bërë që spitali të hyjë për herë të parë në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, teksa ishte prej vitesh në atë të të ardhurave. Norma e fitimit ishte 8%.
Në vitin 2025, spitali raportoi 8.5 miliardë lekë të ardhura, me rritje 52.5% në raport me vitin e mëparshëm. Ky ishte viti i parë i plotë, pas bashkimit me “International Hospital” (ish-“Hygeia”), të cilin e përthithi në fund të vitit 2023 dhe fillimit të operimit si një i vetëm nga shtatori 2024.
Në vitin 2024, “American Hospital” raportoi se nëse bashkimi me “International Hospital” sh.a. do të kishte përfunduar në ditën e parë të vitit financiar, të ardhurat e shoqërisë për vitin 2024 do të ishin 7.6 miliardë lekë.
Si rrjedhojë, rritja reale e të ardhurave të spitalit të bashkuar në vitin 2025 ishte rreth 12%. Qarkullimi vjetor në 2025-n ishte 2.4% më i lartë se qarkullimi vjetor i dy spitaleve, kur kishin aktivitet të veçantë në vitin 2023, që rezultoi 8.3 miliardë lekë.
Sipas raportit të aktivitetit, “American Hospital” do të fokusohet në zgjerimin e aktivitetit të tij edhe jashtë territorit të Shqipërisë dhe zhvillimin e turizmit mjekësor, duke rritur edhe më tej kapacitetet e shërbimit.
Spitalet e tjera janë të vogla me operatorin e dytë që ka të ardhura sa 8% e “American Hospital”. Edhe ata kanë filluar të rezultojnë me fitime vitet e fundit, ndonëse në nivele minimale.
“German Hospital International” rriti të ardhurat me rreth 6% në vitin 2025, në 712.8 milionë lekë, por rritja e kostove bëri që fitimi neto të përgjysmohej, në rreth 2.8 milionë lekë, nga 5.5 milionë lekë një vit më parë. Shpenzimet totale u rritën në rreth 691 milionë lekë, nga 643 milionë lekë në vitin 2024, duke ngushtuar rezultatin nga aktiviteti kryesor.
Spitali “Salus” raportoi 647 milionë lekë të ardhura, me rënie 2.3%, në vitin 2024. Kompania nuk e ka dorëzuar ende bilancin e vitit 2025.
“Spitali Europian” shënoi përmirësim të aktivitetit në vitin 2025, me të ardhurat nga aktiviteti që u rritën me rreth 20%, në 674.3 milionë lekë, ndërsa humbjet u ngushtuan lehtë në rreth 84.9 milionë lekë, nga 88.9 milionë lekë një vit më parë.

Burimi: QKB

Burimi: QKB
Spitalet private në rajon, shumë më të vegjël se në Shqipëri
Në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, spitalet dhe klinikat private janë të pranishme, megjithëse përmasat dhe përfitueshmëria ndryshojnë sipas tregjeve.
Në Serbi, një nga operatorët më të mëdhenj është “Euromedik”, që në vitin 2025 realizoi rreth 32.7 milionë euro të ardhura dhe 7.4 milionë euro fitim neto, me normë fitimi 22.5%.
“Medigroup”, një tjetër grup i rëndësishëm i shërbimeve shëndetësore private, raportoi rreth 23.8 milionë euro të ardhura vetëm nga shoqëria e spitalit të përgjithshëm. Të dhënat nuk përfshijnë të gjithë aktivitetin e grupit.
Në Bosnjë-Hercegovinë, spitali privat “Plava Medical Group”, me qendër në Tuzla, realizoi rreth 7.1 milionë euro të ardhura në vitin 2025. Në Mal të Zi, “Codra”, një nga spitalet private të njohura të vendit, raportoi 6.8 milionë euro të ardhura, ndërsa operatorët e rrjetit “Milmedika” kishin një qarkullim më të vogël.
Në krahasim, “American Hospital” në Shqipëri realizoi rreth 8.5 miliardë lekë të ardhura, ose afërsisht 90 milionë euro. Për nga qarkullimi, spitali shqiptar ka përmasa dukshëm më të mëdha se operatorët e veçantë të identifikuar në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi.
Megjithatë, përfitueshmëria e tij është më e ulët se ajo e “Euromedik” në Serbi, ku norma e fitimit neto arrin në 22.5%.
Në Maqedoninë e Veriut veprojnë spitale të mëdha private, si “Acibadem Sistina”, “Zan Mitrev Clinic” dhe “Remedika”, ndërsa në Kosovë janë të pranishëm “Spitali Amerikan”, “Rezonanca” dhe operatorë të tjerë, për të cilët nuk ka të dhëna për treguesit financiarë.

Burimi: QKB
Tregtimi me shumicë i barnave, fitime të qëndrueshme
Barnat janë një nga produktet më tipike të kërkesës joelastike në ekonomi. Pavarësisht rritjes së çmimeve apo ndryshimeve në të ardhurat e konsumatorit, nevoja për to mbetet e qëndrueshme. Kjo e bën sektorin farmaceutik një nga më rezistentët ndaj krizave ekonomike dhe luhatjeve të tregut.
Importet e produkteve farmaceutike u rritën me 4.9% në vitin 2025, në 29.5 miliardë lekë, duke arritur nivelin më të lartë, me përjashtim të periudhës së pandemisë. Viti 2021 vijon të mbajë rekordin e importeve, i ndikuar si nga pandemia, ashtu edhe nga hyrja e vaksinave që u përdorën kundër COVID-19.
Në Shqipëri, depot farmaceutike vazhdojnë të jenë ndër sipërmarrjet më të mëdha dhe me norma fitimi të qëndrueshme.
Gjatë vitit 2025, tendenca ishte e ndryshme, disa operatorë panë përmirësime të normave, të tjerët rënie, si rrjedhojë e rritjes më të lartë të shpenzimeve në raport me të ardhurat. Marzhi neto i fitimit u luhat nga 4% deri në 12%, në varësi të strukturës së kompanisë.
Në anën tjetër, “Profarma”, si i vetmi prodhues vendas i barnave, shënoi normë fitimi rreth 17%, shumë më e lartë se ajo e tregtarëve me shumicë. Kombinimi i prodhimit lokal dhe rrjetit të shpërndarjes i mundëson kompanisë të kontrollojë më mirë kostot dhe të përfitojë nga kërkesa e qëndrueshme në tregun vendas.

Burimi: QKB
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.








