Ambasadori i ri i Izraelit në Shqipëri, Ohad Nakash Kaynar, ka folur pa doreza mbi marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, çështjet e sigurisë në Lindjen e Mesme, si dhe teoritë e konspiracionit që qarkullojnë së fundmi në vendin tonë rreth blerjes së pronave dhe hoteleve nga shtetas apo biznese izraelite. Në një intervistë për emisionin Newscast të gazetarit Arbër Hitaj, diplomati izraelit hodhi poshtë kategorikisht zërat se Izraeli po synon të blejë toka apo pasuri strategjike në Shqipëri, duke i cilësuar këto narrativa si të pavërteta dhe të dëmshme për klimën e biznesit.
“Ne nuk duam të blejmë vendin tuaj dhe nuk duam të marrim vendin e askujt tjetër. Ne duam të jetojmë dhe të lulëzojmë në vendin tonë,” u shpreh Kaynar.
Ai shtoi se Izraeli është një vend që lufton çdo vit për ekzistencën e tij dhe nuk ka asnjë synim për të marrë kontrollin mbi asnjë vend tjetër. Duke komentuar skepticizmin që hasin disa iniciativa investimi në sektorin e turizmit dhe pasurive të paluajtshme, ambasadori kërkoi që biznesmenët izraelitë të trajtohen në mënyrë të barabartë me investitorët e huaj nga vendet e tjera, duke nënvizuar se çdo aktivitet duhet të zhvillohet me transparencë të plotë dhe nën kontrollin e ligjit.
“Këtu disa nga investimet tona hasin skepticizëm se po përpiqemi të marrim kontrollin. E them hapur: ne nuk po përpiqemi të marrim kontrollin. Por nëse një biznesmen izraelit vjen këtu dhe trajtohet në mënyrë të pabarabartë krahasuar me një austriak, italian apo turk, atëherë lind pyetja pse,” deklaroi ai.
Kaynar u bëri thirrje qytetarëve që të verifikojnë informacionet përpara se t’u besojnë lajmeve të rreme në rrjetet sociale. “Kur dëgjoni për Izraelin, bëjeni dy herë verifikimin. Bëhuni të fundit që përhapni një thashethem, bëhuni të fundit që përhapni një gënjeshtër,” theksoi ambasadori.
Sa i përket marrëdhënieve politike, diplomati izraelit vlerësoi se raportet mes Tiranës dhe Jeruzalemit janë të shkëlqyera dhe të qëndrueshme, duke shtuar se prioriteti i tij është kalimi nga marrëveshjet në letër drejt projekteve konkrete që sjellin vende pune dhe zhvillim për të dyja palët.
“Marrëdhëniet janë të mira, kanë qenë të mira edhe më parë, kanë qenë të mira edhe para Partisë Socialiste dhe shpresoj të jenë të mira në të ardhmen e parashikueshme. Ne nuk duam të mbetemi vetëm te fjala e shkruar; duam të bëjmë gjëra konkrete që njerëzit këtu dhe në Izrael t’i shijojnë,” tha ai.
Në planin ekonomik, Kaynar e cilësoi nivelin aktual të shkëmbimeve tregtare si të ulët në raport me potencialin e dy vendeve, duke vendosur një objektiv ambicioz për mandatin e tij. “Shifrat e tregtisë janë të këqija. Nuk kam hasur kurrë një vend që ka marrëdhënie kaq të mira me Izraelin dhe ka vetëm rreth 40 milionë tregti të përgjithshme.
Synimi im, duke ardhur këtu për 3 deri në 4 vjet, është ta çoj atë 10 herë më lart, në zonën e 400 milionë plus,” u shpreh ambasadori.
Sipas tij, kjo rritje mund të arrihet përmes investimeve në teknologji, shërbime, qendra të të dhënave, turizëm dhe bujqësi. Në këtë të fundit, ai zbuloi se kompani të mëdha izraelite po shohin Shqipërinë si partner për sigurinë ushqimore.
“Mund të zbuloj se kemi dy blerës shumë të mëdhenj që po kërkojnë të diversifikojnë sigurinë ushqimore të Izraelit këtu në Shqipëri,” bëri të ditur Kaynar, duke vënë në dukje gjithashtu rritjen e ndjeshme të turistëve izraelitë në vendin tonë, të cilët janë shtuar nga 17 mijë në 117 mijë brenda një viti e gjysmë.
Në intervistë u prekën edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, ku ambasadori ritheksoi se paqja dhe rindërtimi në Gaza kushtëzohen nga çarmatimi i Hamasit, ndërsa akuzoi regjimin e Iranit për destabilizim rajonal, programin bërthamor dhe përhapjen e narrativave anti-izraelite dhe sulmeve kibernetike në nivel ndërkombëtar.






