Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka zhvilluar kontrolle në lokalet e natës, qendrat e masazhit dhe biznese të tjera me veprimtari të ngjashme, ku ka evidentuar një numër të konsiderueshëm parregullsish tatimore.
Sipas njoftimit të ATK-së, gjatë pjesës së dytë të muajit nëntor janë inspektuar gjithsej 79 biznese, të gjitha të regjistruara.
Megjithatë, kontrollet kanë nxjerrë në pah se 33 biznese nuk ishin të pajisura me arka fiskale, ndërsa 41 prej tyre nuk lëshonin kuponë fiskalë.
Gjatë inspektimeve janë evidentuar edhe 103 punëtorë të padeklaruar, duke ngritur shqetësime për informalitetin në këta sektorë.
Për parregullsitë e konstatuara, 49 raste janë dërguar për trajtim të mëtejmë, ndërsa masat ndëshkimore do të përcaktohen në bazë të vlerësimeve dhe rekomandimeve të ZGJONA-s.
ATK ka bërë të ditur se kontrollet janë realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Inspektoratin e Punës.
Ky institucion ka paralajmëruar se aktivitetet e tilla inspektuese do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të parandalimit të informalitetit dhe mbikëqyrjes së përmbushjes së obligimeve tatimore.