Komuna e rekomandoi për kontratë 100 mijë euro avokatin e Ramës, ofertoi me kontratë të skaduar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Komuna e rekomandoi për kontratë 100 mijë euro avokatin e Ramës, ofertoi me kontratë të skaduar

    Insajderi
    27 November 2026 - 19:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shoqëria e avokatëve e bashkëthemeluar nga Artan Qerkini, aktualisht avokat i Përparim Ramës, u rekomandua këtë vit për kontratë të parashikuar në vlerë 100 mijë euro nga Komuna e Prishtinës, ndonëse nuk i përmbushte kërkesat e tenderit. Në ankesën që çoi në anulimin e vendimit të Komunës u ngrit edhe çështja e një marrëveshjeje të skaduar me avokaten Blinera Osmani, motrën e Vjosa Osmanit.

    Më 30 tetor, Artan Qerkini u paraqit në Prokurorinë Speciale.

    Avokati përfaqësoi aty kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në intervistimin e tij si i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Përfaqësuesi ligjor personal i Ramës, rreth një vit më parë, synonte që të bëhej edhe avokat i Komunës së Prishtinës. Studioja ligjore që ai e ka bashkëthemeluar, “Sejdiu & Qerkini”, kishte marrë pjesë në garën për tenderin e shërbimeve të avokaturës dhe procedurave të ndërmjetësimit, me vlerë të parashikuar prej 100 mijë eurosh.

    Në ditën e fundit të vitit 2025, Komuna e Prishtinës, të cilën e drejton klienti i tij aktual, e kishte rekomanduar pikërisht studion “Sejdiu & Qerkini” për lidhjen e kontratës.

    Por vendimi i Komunës u anulua nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), pas ankesës së operatorit ekonomik “Avokatura Istrefi”. Në shqyrtimin e kësaj lënde, eksperti shqyrtues gjeti se oferta e studios së rekomanduar për kontratë nuk i përmbushte kriteret e tenderit.

    Njëra prej shkeljeve të pretenduara nga operatori ankues lidhej me marrëveshjen e angazhimit të avokates Blinera Osmani. Ajo është motra e ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

    Në kriteret teknike dhe profesionale të dosjes së tenderit, kërkohej që operatorët ekonomikë të kishin së paku pesë avokatë të licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës. Përmbushja e këtij kriteri duhej të dëshmohej përmes marrëveshjeve të angazhimit me avokatët.

    Sipas ankesës së “Avokatura Istrefi”, studioja “Sejdiu & Qerkini” kishte dorëzuar pesë kontrata me avokatë të ndryshëm, por njëra prej tyre, ajo me Blinera Osmanin, kishte skaduar disa vjet para shpalljes së tenderit.

    “Kontrata […] është e datës 01 tetor 2021 me kohëzgjatje për 1 vit, e cila përfundon më datën 30 shtator 2022”, thuhej në ankesën e operatorit ekonomik.

    Ankuesi i ishte referuar edhe nenit 5 të kësaj marrëveshjeje, ku përcaktohej se “marrëveshja lidhet për një periudhë 1 vjeçare dhe nuk përtrihet automatikisht”, si dhe se ajo “hyn në fuqi më 1 tetor 2021 dhe skadon më 30 shtator 2022”.

    Sipas “Avokatura Istrefi”, operator konkurrent në tender, paraqitja e kësaj marrëveshjeje nuk e dëshmonte përmbushjen e kriterit për pesë avokatë të angazhuar, pasi kontrata kishte përfunduar më 30 shtator 2022 dhe nuk parashihte ripërtëritje automatike.

    Në raportin e ekspertit shqyrtues, të dorëzuar më 4 shkurt 2026, u konstatua se oferta e studios së rekomanduar për kontratë nuk i përmbushte kërkesat kualifikuese.

    “Oferta e OE të rekomanduar për dhënie të kontratës nuk i përmbush kërkesat kualifikuese”, thuhet në raportin e ekspertit.

    Eksperti kishte vlerësuar se, meqë oferta e operatorit ankues ishte eliminuar me të drejtë, ndërsa oferta e studios së rekomanduar nuk i përmbushte kriteret, në këtë procedurë nuk kishte asnjë ofertë të përgjegjshme. Për këtë arsye, ai i rekomandoi panelit shqyrtues që ankesa të aprovohej pjesërisht, njoftimi për vendimin e Komunës të anulohej dhe tenderi të ritenderohej nëse Komuna kishte ende interes për të.

    Paneli shqyrtues i OSHP-së, më 23 shkurt 2026, vendosi ta aprovojë pjesërisht ankesën e “Avokatura Istrefi” dhe ta anulojë vendimin e Komunës për dhënien e kontratës.

    “Anulohet B58 Njoftimi mbi Vendimin e AK të KUVENDI I KOMUNËS SË PRISHTINËS, ndërkaq aktiviteti i prokurimit […] nëse AK ka interes aktivitetin e prokurimit ta ritenderojë”, thuhet në dispozitivin e vendimit.

    OSHP-ja e obligoi gjithashtu Komunën që brenda dhjetë ditësh ta informonte për veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, duke paralajmëruar mundësinë e marrjes së masave në rast të mosrespektimit të vendimit.

    Komuna e Prishtinës e anuloi tenderin dy ditë pas vendimit të OSHP-së, më 25 shkurt 2026.

    Që nga viti 2025, kur skadoi kontrata paraprake për shërbimet e avokaturës, Komuna e Prishtinës nuk ka kontratë aktive për këto shërbime.

    Në gusht të këtij viti, Komuna nisi një procedurë të re të prokurimit për shërbimet e avokaturës. Por, për shkak të ankesave të operatorëve ekonomikë, edhe kjo procedurë vazhdon të zvarritet. /paparaci


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark