Përplasja gjyqësore mes OpenAI dhe Apple është zgjeruar, pasi kompania që qëndron pas ChatGPT ka depozituar një kundërpadi në një gjykatë federale në Kaliforni. Në të, Apple akuzohet për përvetësim të sekreteve tregtare dhe për pengimin e bashkëpunimit të OpenAI me furnitorët e pajisjeve elektronike.
Sipas OpenAI, Apple ka shfrytëzuar pozicionin e saj në treg për t’u bërë presion furnitorëve që kanë marrëdhënie bashkëpunimi me të. Kompania pretendon se disa prej tyre janë tërhequr ose kanë shmangur punën me OpenAI, duke pasur frikë se mund të dëmtonin raportet e tyre tregtare me Apple.
Të lidhura
None found
Kundërpadia lidhet edhe me një ish-punonjës të OpenAI, i cili ishte larguar nga kompania për t’u rikthyer në Apple. OpenAI pretendon se ai kishte marrë të dhëna konfidenciale për planet e saj lidhur me pajisjet e reja dhe projektet që pritet të zhvillohen në të ardhmen.
Dokumentet e dorëzuara në gjykatë përmendin materiale të tilla si imazhe të pajisjeve që ende nuk janë bërë publike, të dhëna inxhinierike, informacione mbi proceset e prodhimit dhe detaje për raportet me furnitorët.
Një pjesë tjetër e akuzave ka të bëjë me kontratat e punës së Apple. OpenAI thotë se disa dispozita të këtyre marrëveshjeve kufizojnë kalimin e punonjësve te kompanitë rivale dhe e bëjnë më të vështirë rekrutimin e inxhinierëve.
Apple i ka hedhur poshtë pretendimet, duke i përshkruar ato si një përpjekje të OpenAI për të zhvendosur vëmendjen nga çështja e ngritur fillimisht prej saj. Kompania këmbëngul se padia e saj lidhet me marrjen dhe përdorimin e informacionit konfidencial nga ish-punonjësit.
Procesi ligjor mes dy kompanive nisi në korrik 2026, kur Apple ngriti padi ndaj OpenAI dhe dy ish-punonjësve të saj. Në atë rast, Apple pretendoi se ata kishin siguruar të dhëna sekrete mbi zhvillimin e produkteve dhe zinxhirin e furnizimit.
Konflikti po zhvillohet ndërsa OpenAI po përgatitet të hyjë më fuqishëm në sektorin e pajisjeve elektronike për konsumatorët, një treg ku Apple ka një pozicion të konsoliduar.








