Ka nisur këtë të shtunë votimi për zgjedhjet lokale në Tajvan, ku mijëra qendra votimi janë hapur në shkolla dhe tempuj në të gjithë ishullin. Procesi zgjedhor nisi në orën 08:00 sipas kohës lokale dhe do të përfundojë në orën 16:00, ndërsa rezultatet pritet të shpallen gjatë mbrëmjes.

Zgjedhjet, të cilat zhvillohen çdo katër vjet, përfshijnë rreth 11 mijë poste publike, mes tyre kryetarë bashkish dhe drejtues qarqesh, në 22 qytetet dhe qarqet e Tajvanit.

Vëmendja kryesore është përqendruar në kryeqytetin Taipei, ku gara për postin e kryetarit të bashkisë paraqitet e ngushtë. Kandidati i Partisë Demokratike Progresive (DPP), Puma Shen, synon të bëhet kryebashkiaku i parë i kësaj force politike në kryeqytet pas gati 30 vitesh.

Përballë tij është kryetari aktual i bashkisë, Chiang Wan-an, përfaqësues i partisë Kuomintang (KMT), i cili në zgjedhjet e mëparshme fitoi me një diferencë të konsiderueshme dhe konsiderohet një prej emrave të mundshëm për garën e ardhshme presidenciale.

Kandidati kritik ndaj Pekinit, në qendër të vëmendjes

Puma Shen, i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj Pekinit, ka hyrë në garë si një kandidat jashtë establishmentit politik. Ai kërkohet nga autoritetet policore kineze për dyshime mbi aktivitete separatiste.

Megjithëse në fillim konsiderohej në disavantazh, Shen ka arritur të tërheqë mbështetje të konsiderueshme gjatë fushatës, me pjesëmarrje të lartë në tubimet e tij dhe interes të madh për materialet promovuese të kandidaturës.

Një fitore e tij në Taipei do të kishte edhe domethënie politike për marrëdhëniet me Pekinin. Sipas Austin Wang, profesor i shkencave politike në Universitetin e Nevadës në Las Vegas, një rezultat i tillë në bastionin e Kuomintangut mund të shihej si një goditje e sikletshme për Kinën.

Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për të vendosur kontrollin mbi ishullin.

Në ditën e fundit të fushatës, të premten në mbrëmje, mijëra mbështetës të Chiang Wan-an u mblodhën në një nga rrugët kryesore të Taipeit, duke valëvitur flamuj dhe duke mbajtur tullumbace.

Ndërkohë, Puma Shen, pasi u detyrua të anulonte një aktivitet në ambient të hapur për shkak të problemeve me vendin e zhvillimit, organizoi një tubim online, i cili u ndoq nga qindra mijëra persona.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb