Tensionet mes Kievit dhe Romës po rriten. 'Një objektiv plotësisht legjitim'. Kështu e cilëson Volodymyr Zelensky, në një intervistë për BBC-në, një javë pas operacionit, korvetën ruse Merkury, e fundosur gjatë një sulmi ukrainas në portin libian të Bengazit. Ai shton se Kievi nuk kryen sulme të këtij lloji «pa njëfarë koordinimi me partnerët», pavarësisht se Roma, Berlini dhe Athina kanë shprehur dyshime për operacionin dhe për rreziqet e zgjerimit të konfliktit në Mesdhe.

Kalojnë vetëm pak orë dhe vijnë reagimet e qeverisë italiane, e cila mohon kategorikisht se është njoftuar paraprakisht.

"Zelensky ka thënë diçka të pavërtetë, asnjë nga aleatët e tjerë nuk dinte asgjë, jo vetëm Italia", deklaroi ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, gjatë fjalës së tij në asamblenë e partisë Noi Moderati.

Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, në margjinat e asamblesë së ANCI-t në Verona, e përforcoi edhe më shumë këtë qëndrim: Nuk ka pasur kurrë asnjë koordinim.

Tajani kujtoi gjithashtu se vetë homologu i tij ukrainas, Andrij Sybiha, ka folur për konsultimin me aleatët në të ardhmen: Asnjëri prej nesh nuk ishte informuar, askush nuk dinte asgjë për atë që po bënin ukrainasit në Libi, prandaj ajo që ka thënë Zelensky nuk është e vërtetë'. Ministri i Transportit, Matteo Salvini, ka thirrur për të martën një mbledhje urgjente të Komitetit për Sigurinë Detare.

Giuseppe Conte e shfrytëzoi këtë rast për të vënë në dukje se, duke pasur parasysh dy versionet kontradiktore, përfundimi logjik është se Kievi mund të ketë njoftuar aleatë të tjerë, por jo Italinë: «Pavarësisht katër vjet e gjysmë mbështetjeje, vendi ynë nuk konsiderohet nga Zelensky si partner», shkroi në Facebook lideri i Lëvizjes Pesë Yjet.

Opozita i bën thirrje kryeministres që të raportojë në Parlament. Në orët e vona të pasdites, Giorgia Meloni ndërhyn në këtë çështje dhe telefonon presidentin ukrainas për t'i shprehur shqetësimin e qeverisë lidhur me 'operacionin e kryer nga forcat ukrainase në portin e Bengazit'. Kryeministrja, sipas një njoftimi të Pallatit Chigi, ka theksuar se është shkelur «sovraniteti i Libisë dhe se ekziston rreziku i zgjerimit të konfliktit në Mesdhe».

Në këtë moment, Zelensky thuhet se ka kërkuar falje. Dhe, mbi të gjitha, ka ndryshuar versionin e tij.

"Sot fola me Giorgia Melonin. Konfirmova se operacioni i fundit në Libi u krye pa koordinim paraprak me partnerët tanë evropianë", shkroi lideri i Kievit në rrjetin social X.

Më pas, ai shprehu mirënjohjen dhe dha garanci për "angazhimin që autoritetet përkatëse të ndajnë të gjithë informacionin e nevojshëm".

Në intervistën për BBC-në, presidenti ukrainas ka akuzuar gjithashtu SHBA-në se po vonon dërgesat e sistemeve Patriot, të nevojshme për të ndalur raketat balistike ruse. Sipas tij, kjo mungesë po kushton jetë njerëzish. Në vlerësimin e tij, Uashingtoni është tepër i përqendruar te Lindja e Mesme dhe nuk po ushtron presion të mjaftueshëm ndaj Moskës. Më pas, ai e cilësoi si "të çuditshme" faktin që Donald Trump kishte publikuar një fotografi me Vladimir Putinin, duke e quajtur atë "miku im".

"Ai është një agresor dhe një vrasës. Nuk mund të jetë mik", tha Zelensky"

Në terren, Kievi pretendon se ka kryer një tjetër sulm. Ukraina deklaron se ka goditur një fabrikë të gomës sintetike në Iefremov, në rajonin rus të Tulës, e cila, sipas inteligjencës ukrainase, furnizon me komponentë raketat Iskander.

Ndërkohë, ndërsa vazhdojnë sulmet ndaj rafinerive të saj, Moska ka zgjatur me katër muaj, deri më 31 mars, ndalimin e eksportit të vajgurit, me përjashtim të furnizimeve të parashikuara nga marrëveshjet ndërqeveritare. Arsyeja është nevoja për të garantuar furnizimin e tregut të brendshëm.

Në Ukrainë, sulmet ruse gjatë natës kanë goditur infrastrukturën civile dhe atë energjetike në nëntë rajone: Dnipropetrovsk, Vinnytsia, Kirovohrad, Zaporizhzhia, Kiev, Mykolaiv, Kharkiv, Odessa dhe Sumy. Gjatë natës mes së enjtes dhe mëngjesit të së premtes, të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe 14 të tjerë janë plagosur në rajonet e Chernihivit, Kharkivit dhe Dnipropetrovskut.

Lufta nuk ndalet as jashtë hapësirës ajrore të Ukrainës. Letonia ka raportuar një shkelje të hapësirës së saj ajrore nga një dron. Rajoni rus i Leningradit ka njoftuar se ka zmbrapsur një sulm me dronë. Ndërkohë, Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (International Institute for Strategic Studies) ka regjistruar në Evropë një rritje prej 16% të akteve të sabotimit të lidhura me Rusinë, gjatë periudhës nga tetori 2025 deri në shtator 2026./Corriere della Sera