Dy avionë të American Airlines u përplasën ndërsa lëviznin në pistën e aeroportit Ronald Reagan National pranë Uashingtonit, të premten pasdite, ndërsa të dy po përgatiteshin për nisje. Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), incidenti ndodhi rreth orës 17:10 me kohën lokale. Avioni i fluturimit 638, me destinacion Dallasin, preku krahun e avionit të fluturimit 2152, që do të shërbente rrugën drejt Çikagos, ndërkohë që të dy mjetet fluturues po lëviznin në pistë.
Nga kontakti u shkëput një pjesë e skajit të krahut të njërës prej aeroplanëve, e njohur si winglet. Mbetjet ranë në pistë dhe u raportuan nga pilotët te kontrollorët e trafikut ajror. Regjistrimet e komunikimit me kullën tregojnë se njëri prej pilotëve njoftoi përplasjen, duke deklaruar se avioni kishte kaluar pak vijën e ndalimit dhe kishte prekur mjetin fluturues pranë tij.
Për shkak të mbetjeve në pistë, kontrollorët e trafikut ajror urdhëruan një avion tjetër që po afrohej që të ndërpresë uljen, ndërsa disa fluturime të tjera u paralajmëruan për vonesa të mundshme. Të dy avionët u kthyen në portat e aeroportit, ku ekipet e emergjencës i kontrolluan. Pas kontrolleve, ato u nxorrën përkohësisht jashtë shërbimit për inspektim teknik.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk pati të lënduar. American Airlines kërkoi ndjesë për shqetësimin e shkaktuar te pasagjerët dhe bëri të ditur se po punonte për të mundësuar vijimin e udhëtimeve të tyre. Administrata Federale e Aviacionit njoftoi se do të nisë hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e përplasjes.
